Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është bashkuar me protesuesit në sheshin para Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se pa u ndërshkuar ata që vodhën votat nuk do të ketë zgjidhje politike të krizës.

Lulzim Basha: Sot jemi më shumë se kurrë, por më pak se kurrë në Shqipëri, vendi po shkretohet. Shqiptarët po largohen. Po ikin nga varfëria, pasiguria. Ne jemi ndarë nga familjarët, jetët tona janë varfëruar. Një vend që e braktisin më të mirët profesionistët, intelektualët, rinia nuk ka të ardhme. Sot Shqipëria ofron pak mundësi.  E vetmja e ardhme për fëmijët është të punojnë për partinë dhe oligarkinë. Mirëqenie ka vetëm për hajnin dhe grabitqarët. Ëndërra për Shqipërinë si Europa është e parealizuar. Vetëm shoqëritë ku sundon ligji dhe jo njerëzit, ecin para. Shqipëria është sot një vend pa ligj, rregulla, pa drejtësi. Këtu sundon 1-shi dhe mbretëron vetëm një njeri. Të gjitha pushtetet i zotëron Edi Rama. Shqipërinë e ka kthyer në pronën e tij. Në Shqipëri nuk sundon vullneti i njerzëve. Nuk udhëheq interesi i njerzëve. Sundon vullneti i Edi Ramës dhe i oborrit të tij, plot me kriminel dhe grabitqarë. Përgjimet e Prokurorisë të publikuara nga BILD nxorrën fytyrën kriminale të regjimit Rama dhe treguan se ai është antipopullor dhe anti kombëtar. Ky regjim duhet të rrëzohet sa më parë. Rama ik.
E gjithë bota e di se beteja jonë ka qenë  e drejtë dhe jetike. Pa kurajon tonë, denoncimet nuk do kishte ndodhur asgjë. Qëndresa jonë triumfoi. Sot shqiptarët janë të etur për ndryshim, duan një ndryshim të vërtetë dhe jo të përkohshëm, fals, fasadë, por një ndryshim që do tu japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Ai që do ta na fusë në rrugën e sigurt të BE dhe vlerave perëndimore. Ky mund të vijë vetëm nëse ne nuk përsërisim atë që  kemi bërë në të shkuarën. Kriza do të zgjidhet me parime dhe jo pazare. Do zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Dua ta deklaroj sonte para botës, derisa të dalin para drejtësisë ata që vodhën votat e shqiptarëve bashkë me krimin nuk do të ketë zgjidhje politike. Do përdorim çdo mjet t’i nxjerrim ata para drejtësisë së pavarur.

/Ora News.tv/