Në një kohë kur përherë e më shumë po flitet për ndërhyrjen e tyre, Lulzim Basha përjashton ndërhyrjen ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Zgjidhja sipas tij do të vijë vetëm nga brenda, duke u bashkuar e marrë në duar fatet e vendit.

Duke folur për platformë të opozitës, Basha tha se synimi është që rruga të jetë sa me e shpejtë dhe më pak e mundimshme.

Me këtë mesazh foli nga Shkodra ndërsa shtoi se kjo është përgjegjësi e opozitës, pasi qeveria sipas Lulzim Bashës nuk mund ta bëjë.

Basha: Ne si opozita, PD, gjithë aleatët tanë të bashkuar kemi përgjegjësinë për ti dhënë shqiptarëve zgjidhjen që meritojnë dhe që duhet një orë e më parë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë.

Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe kriza mund të zgjidhet vetëm duke e ndarë politikën nga krimi. Ndarja e politikës nga krimi pa proces zgjedhor nuk ka. Proces zgjedhore pa garancinë që qytetarët nuk do dhunohen dhe nuk do kenë një situatë absurde si në Shkodër, pra pa një transformim të thellë politik nuk mund të ketë. Prandaj ne kemi ndërmarrë këto hapa në 6 muaj dhe do vazhdojmë betejën deri në fund.

Prandaj detyra jonë është që gjithë shqiptarëve ti japim rrugën e daljes nga kjo krizë. As Rama dhe as organizata e tij kriminale nuk kanë dhe as mund të kenë as përgjigje dhe as zgjidhje. Ne jemi të vendosur për t'ia dhënë këtë zgjidhje shqiptare. Bashkë me platformën që do paraqesim në dialog me qytetarët bashkë me zgjidhjen që do parashtrojmë do të sigurohemi që rruga për zgjidhjen e kësaj krize të jetë sa më pak e mundimshme dhe e shkurtër.

Kur thoni zgjidhje nga jashtë i referoheni ndërkombëtarëve?

Basha: S'ka zgjidhje nga jashtë, zgjidhja do të vijë nga brenda. Nga jashtë kemi miq, siç kemi patur. Kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimën apo duke parë nga qielli. Kjo krizë zgjidhet duke u bashkuar duke marrë fatin tonë në duart tona.

Fajtore për gjithë këtë që po ndodh cilëson politikën e lidhur me krimin, e për këtë adresimin ja bën Edi Ramës.

Nuk lë pa marrë shembull kryebashkiakët që zgjodhi në 30 qershor, Valdrin Pjetrin në Shkoder, Mark Babanin në Vau Dejes, rastin Kajmaku etj.

Lulzim Basha u takua me kryebashkiaken Voltana Ademi, ish deputet të PD-së dhe struktura të tjera drejtuese ku janë diskutuar hapat për aksionin e mëtejshëm opozitar.

Ai shoqërohej nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gament Bardhi, i cili është njëherazi koordinator politik i PD për qarkun e Shkodrës.


/Ora News.tv/