Kryetari i PD, Lulzim Basha ka bërë të ditur se në shtator do të nisin protestat popullore. Nga protesta e banorëve të Unazës së Re, pasditen e 16 gushtit, Basha tha se kryeministrit Rama po i ngushtohet laku, ndërsa paralajmëroi se koha për të dhënë llogari po afron.


Lulzim Basha: Laku po ngushtohet e po shtrëngohet në qafën e despotit të inkriminuar dhe hajdutit psikik Edi Rama. Koha për të dhënë llogari finale para popullit po afron. Unë kam kënaqësinë dhe nderin që para nisjes së shtatorit të protestave popullore dhe të dialogut kombëtar dhe të platformës kombëtare për Shqipërinë si gjithë Evropa që këtë ta nisim me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme me banorët e unazës së re. Ky është angazhimi ynë, e zezë mbi të bardhë, jo fjalë në erë për të vendosur drejtësinë dhe për të vendosur padrejtësinë para ligjit, që në momentin e parë kur shqiptarët të na besojnë me votën e tyre të lirë përgjegjësinë e drejtimit të Shqipërisë drejt vlerave, standardeve dhe parimeve evropiane.

Basha firmosi një marrëveshje me banorët e "Astirit" ku shprehet mbështetja e opozitës për protestën e këtyre banorëve në mbrojtje të shtëpive të tyre, ndërsa banorët shpresin vendosmërinë për të vijuar pandërprerje betejën për mbrojtjen e banesave dhe pronës së tyre nga rreziku i prishjes pa dëmshpërblim. 

Kreu i PD-se akuzoi kryeministrin Rama se po zbaton një projekt korruptiv në Unazën e Re. 

Lulzim Basha: "Shteti shqiptar nuk funksionon më si shtet por si bandë, si narkoshtet, sepse në krye është një njeri që ka kapur të gjitha pushtetet. Ka sjelle kriminelet ne institucione, ka shkatërruar zgjedhjet. Ka kapur drejtesine me një qëllim ti vjedhë shqiptarët."

Sa i takon banesave që preken nga ndërtimi i rrugës theksoi se nuk do të lejohet shembja e tyre pa dëmshpërblimin në vlerë reale. 

/Ora News.tv/