Pak orë pasi takoi në zyrën e tij shefen e delegacionit të OSBE/ ODIHR Audry Glover kryetari i PD-së Lulzim Basha u shfaq i prerë në një deklaratë për median duke u shprehur se nuk do të lejojë votime të paligjshme dhe farsë.

  Më tej nënvizoi se nuk do të ketë asnjë hap pas dhe se në Shqipëri nuk ka për të pasur zgjedhje të lira sa kohë që Edi Rama është kryeministër.

Lulzim Basha: " Votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero. Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njejtat banda dhe kriminelë që ka vjedhur edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s. Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë! " tha Basha në një prononcim për median mesditën e sotme nga selia e PD-së.

Ndërkohë, burime zyrtare nga PD para daljes së Bashës paralajmëruan se do të ketë protesta çdo ditë, edhe më 30 qershor dhe 1 korrik.

Lulzim Basha: "Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë!  Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të instalohet përfundmisht regjimi autokratik kriminal i Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal për të mbajtur me dhunë pushtetin dhe për të destabilizuar vendin. Asnjë hap pas! Ne do t’i dalim për zot Shqipërisë" nënvizoi Basha në mbyllje të fjalës së tij në të cilën komentoi dhe  Vendimin e Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues.

Ai e quajti distancim nga nje akt i paligjshëm i Edi Ramës.

"Vendimin e Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues   për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Vendimi është politik, sepse tërheqje nga Këshilli i Europës nuk ka patur as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konfliktesh civile, përfshirë, Maqedoninë dhe Ukrainën.  Tërheqja e institucionit kryesor europian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është distancim i qartë nga votimet farsë një-partiake, anti-demokratike dhe anti-kushtetuese të Edi Ramës."

Protesta cdo dite

 Burime zyrtare nga Partia Demokratike bëjnë me dije se ditët e ardhshme, duke kulmuar me 30 Qershor dhe pas kësaj date, do të jenë ditë protestash në të gjithë vendin.

Në bashkëpunim me Aleancën Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë, Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar kanë njoftuar protesta në të gjitha bashkitë kundër votimeve njëpartiake, në kundërshtim me Kushtetutën.

Opozita dhe qytetarët do të protestojnë në të 61 bashkitë e vendit në mbrojtje të demokracisë dhe rendit kushtetues dhe kundër farsës së votimeve të paligjshme. Protestat do të shtrihen në të gjithë vendin dhe sipas informacioneve do të zhvillohen në sheshe qendrore dhe pranë KZAZ-ve. Urdhri i qendres per bazen deri në këto momente është shmangia e konflikteve dhe e incidenteve.

/Ora News.tv/