Në kuvendin kombëtar zgjedhor, kryetari Lulzim Basha në një fjalim të gjatë, ripërsëriti mesazhin se Partia Demokratike do të vijë në pushtet nëpërmjet votës e jo trazirave apo dhunës.

Lulzim Basha: Beteja jonë duhet jo thjesht për të larguar Edi Ramën dhe regjimin e tij shkatërrimtar nga pushteti, por për të zhdukur bashkë me të edhe këtë sistem të ndryshkur në politikë dhe ekonomi. Kjo gjë nuk arrihet me dhunë, por me mjete demokratike. Kjo gjë nuk arrihet me forcë, por me votë.

Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që Partia Demokratike të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide.  Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e çdo kujt që të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse.  Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta atëherë kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqqeverisjes, krimin dhe korrupsionin. Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. 

PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrige e tepsi. 
Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim. Dua ta them edhe një herë siç e kam thënë me mijëra herë: sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë. Sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do të jetë për Shqipërinë. Me Edi Ramen nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka shtet, nuk ka Shqipëri!"

Basha tregoi dhe si rrëzohet Edi Rama

Por unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top. Edi Rama rrëzohet: Duke i rezistuar atij përditë. Duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij. Duke protestuar për ditë. Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Shkozës. Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Unazës. Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve për Teatrin. Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Kukësit. Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Himarës. Duke iu bashkuar protestës së studentëve. Duke iu bashkuar protestave të qytetarëve, biznesit të vogël, fermerëve, që po shpërthejnë çdo ditë nën shembullin e kurajos së studentëve. Duke iu bashkuar çdo proteste, çdo ditë, kundër çdo padrejtësie

Rama rrëzohet: Duke denoncuar krimet e tij përditë. Duke diskredituar ministrat e tij injorantë dhe hajdutë përditë. Duke demaskuar dhe braktisur klientët e tij hajdutë përditë.

Basha foli për sulme, ndërsa tha objektivi i përditshëm i Partisë Socialiste është përçarja dhe humbja e besueshmërisë së PD.

Lulzim Basha: Shkurajimi i demokratëve, përcarja e tyre është një objektiv i përditshëm i propagandës së Edi Ramës. Edi Rama ka financuar një operacion gjigant propagande me kosto dhjetëra milionë euro me paratë e ardhura nga korrupsioni dhe krimi kundër PD dhe cdo zëri kritik.

Në këtë pikë kishte një mesazh për kritikët e tij, ndërsa në vitin e 5 që ai drejton premtoi sërish hapje të partisë.  

Lulzim Basha: Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD nuk kanë nevojë të jenë dakord me gjithçka që bën PD, por janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata, unë kam vetëm një ftesë, ejani bëhuni pjesë. Të gjitha dyert, mendjet e zemrat janë të hapura për ju.

Para Demokratëve, Basha tha se në Shqipëri nuk do të ketë shpresë, nëse Edi Rama dhe klientët e tij nuk do të dalin para drejtësisë. Ai foli për alternativën e opozitës,  ndërsa tha se nesër në qeveri PD  do të garantojë një sistem të ri politik në bazë të të cilit është liria dhe konkurrenca  e ndershme.

Lulzim Basha: Duhet një brez i ri politik, duhet një elitë e re e vendit e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve.


/Ora News.tv/