Për mazhorancën akuzat e ngritura ndaj Lulzim Bashës duket se nuk mjaftojnë. Ndaj sipas saj dosja e Lulzim Bashës duhet të hetohet nga SPAK dhe jo nga prokurorë, që ajo i quan KÇK.

Në një reagim, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thotë se në konkluzione mungon akuza e "Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale"

"L.Basha nuk mund të gjykohet vetëm si falsifikator. Prokuroria në dokumentin e bërë publik ka vërtetuar pagesën 500mijë dollarë & vepra tjetër penale për të cilën u akuzua "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" qëndron. Pse në konkluzion kjo akuzë mungon?", shkruan Balla në twitter.

Sipas Ballës është e papranueshme që në prag të ngritjes së SPAK prokurorë të caktuar bëjnë amnisti. Sipas tij, Gjykata duhet ta rikthejë për hetim.

"Teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK është papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe duhet ta rikthejë për hetim. Kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK jo nga KÇK", thote Balla.

/Ora News.tv/