I sapo kthyer nga Berlini, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat në orët e vona të pasdites pati një mesazh për të gjithë aktorët ndërkombëtarë që kërkojnë futjen e opozitës në zgjedhjet vendore.

Basha ishte i qartë kur tha se me kriminelët dhe banditët nuk mund të përdorësh standarde perëndimore

Basha: Me të fortë dhe kriminelët nuk konkurohet në zgjedhje. Ata që mendojnë ndryshe janë të verbër ose naiv.Ata që nuk kanë problem  që Edi Rama të qeveris me standarde mafioze dhe diktatoriale, ata që mbyllin sytë përditë përballë krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nuk mund ti kërkojnë opozitës të kthehet në Kuvend apo të marrë pjesë në zgjedhje.Askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion  dhe as të gënjejë veten. Edi Rama po përdor çdo pushtet, çdo qindarkë, çdo mundësi për të manipuluar zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe këdo.

Ata që mendojnë se Edi Rama mund të kufizohet, mund të reformohet apo mund të emancipohet, janë naivë tha Basha.

Basha: Edi Rama është i zhytur në krim dhe nuk ka më as fuqinë morale dhe as mendore për të respektuar standardet më minimale të bashkëjetesës demokratike. Edi Rama duhet të ikë.

Basha tha se edhe pas largimit të Ramës, Shqipërisë do ti duhen shumë përpjekje për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar ai në Shqipëri dhe për të shëruar plagët e korrupsionit.

Basha ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë masivisht në protestën e nesërme të opozitës, si e vetmja rrugë për të çliruar vendin nga regjimi kriminal.

Basha: Sytë e botës janë drejtuar nga ne për të parë sesi ne si vend, si popull i bashkuar rreth vlerave do ta zgjidhim këtë krizë të rëndë që ka pllakosur.Pastrimi i sistemit tonë politik dhe largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisjes është shpresa dhe rruga e sigurtë për një Shqipëri që u takon të gjithë shqiptarëve. Ne e bëjmë këtë betejë për standardet dhe vlerat europiane.Boll më me Shqipërinë që duan vetëm ata, një grusht oligarkësh dhe kriminelësh.Koha është tani për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Sa më parë të largojmë Edi Ramën aq më pak kosto dhe aq më mirë do të jetë për të ardhmen e vendit. Ju ftoj të bashkoheni si asnjëherë  nesër në orën 19:00 në protestën kombëtare në Tiranë.



/Ora News.tv/