Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ka dërguar një letër sistemit bankar dhe guvernatorit, duke i kërkuar  që të mos financojnë projektet e PPP-ve, pasi sipas tij pjesa me e madhe  pastrojnë parat e krimit dhe korrupsionit. Në letër Basha, përmend kontratat për rrugën Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. 

Thirrjet publike ndaj bankave në vend, për të mos financuar projekte të Partneritetit  Publik  Privat, kryetari i opozitës Lulzim Basha e ka materializuar me letër zyrtare drejtuar sistemit bankar.

Në letër Basha, ju bën thirrje të mos rrezikojnë me financimin e PPP-ve, të cilat sipas tij pastrojnë para të drogës dhe korrupsionit, duke paralajmëruar anulimin e  tyre. Si kontrata të dyshimta, Basha, përmend rrugën Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.

Basha: "Opozita, duke e vlerësuar të një rëndësie madhore për mbrojtjen e interesit publik, stabilitetin e sistemit bankar në vend, vlerësoi të arsyeshme të informojë bankën tuaj mbi fatin e shpejtë që do të kenë këto dy projekte korruptive. Ne shprehim besimin e plotë që ju do të distancoheni dhe nuk do të bëheni palë në akte që provojnë mbështetjen ndaj projekteve korruptive, që cënojnë interesin publik"

Duke theksuar se jo çdo biznes i angazhuar në sektorin e ndërtimit kryen aktivitet të paligjshëm, kreu i opozitës, Lulzim Basha, shprehet se disa kompani kanë marrë leje ndërtimi dhe kontrata publike në nivele të tilla që nuk justifikohen as nga eksperiencat e tyre dhe as nga mundësitë financiare që ato kanë.

Basha: "Të gjitha këto masa do të shoqërohen, gjithashtu, me veprime të tjera nga ana e organeve tatimore/ligjzbatuese, të tilla si revokimin e lejeve apo përfundimin e kontratave të dhëna në mashtrim me ligjin apo në kundërshtim me të."

Basha shprehet se financimi i të tilla projekteve, që kanë si qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që s’duhet të lejohet, por do të përbënte dhe kriminalizimin e atij personi apo institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim.

Basha:  “Ne presim që banka juaj të aplikojë procesin e “vigjilencës së zgjeruar” në çdo transaksion ku përfshihen subjekte që janë angazhuar në aktivitetet e sipërcituara”

 Në letrën që mban firmën e tij,  Basha,  vë në dukje paralajmërimet e vazhdueshme të opozitës se sektori bankar është më i ekspozuari nga bashkëpunimi mes qeveritarëve të korruptuar me disa kompani që po përdorin sektorin e ndërtimit për të pastruar paratë e pista.

/Ora News.tv/