Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur mirënjohje për Bashkimit Europian për mbështetjen që i dha Shqipërisë në këto kohë të vështira.

Basha zhvilloi një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, ku i kërkoi atij mundësine për të shtuar këto nihma.

Lulzim Basha: I kërkova të shohin çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë, pasi përveç pamundësisë për plotësimin e nevojave në shëndetësi, Shqipëria është një vend me nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë, për biznesin dhe për ekonominë.

I kërkova, po kështu, edhe mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore:

1. Mbështetje për shëndetësinë.

2. Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë.

3. Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare.

Po kështu i kërkova komisionerit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pavarësisht ditëve të vështira që po kalojmë, të jeni besimplotë se ditë më të mira do të vijnë për ju, për familjet tuaja dhe për Shqipërinë.

Basha i shprehur komisionerit vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas përmbushjes së 15 kushteve.

Lulzim Basha:  E garantova se opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve. Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare.

/Ora News.tv/