Partia Demokratike  e ka gati platformën për zgjidhjen e krizës, por është Rama që ka frikë dhe nuk pranon as ndërkombëtarët. Kështu është shprehur kryetari i PD-së Lulzim Basha në një intervistë ekskluzive për RTV Ora.

Refuzimin e Kryeministrit ndaj propozimit të PD-së për një strukturë të posaçme për reformën zgjedhore, kryetari i PD-së e lidh me frikën që ka Edi Rama ndaj përpjekjeve të ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën.

Në intervistë për RTV Ora, Lulzim Basha, deklaron se shefi i mazhorancës po e mban peng vendin për të ruajtur pushtetin e tij.

Basha: Nuk është për tu habitur që jo për herë të parë, as për herë të dytë, por vazhdimisht, ai refuzon përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kjo krizë e thellë politike, përfaqësuese, kushtetuese dhe ekonomike. Por as vëmendja dhe as problemi ynë nuk është tek ajo që thotë Edi Rama. Si opozitë jemi terësisht  të fokusuar për të ndërtuar rrugën e daljes nga kjo krizë. Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjslative. Pjesa më e madhe janë ato që thotë OSBE/ODIHR, vullneti politik, ndëshkimi i personave që janë kapur duke vjedhur dhe blerë votat në bashkëpunim me krimin, ndërtimi i një administrate zgjedhore që nuk është nën kontrollin qeveritar.

Opozita është e vendosur të ecë përpara. Platforma jonë do të konsultohet me qytetarët dhe grupet e interesit, do të jemi në konsultim të vazhdueshëm dhe me faktorin ndërkombëtar për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Deklaratat e mbrëmshme vetëm rikonfirmojnë para shqiptarëve se  kush është shkaktari i krizës dhe kush e mban peng Shqipërinë. Ndërkohë që kushtet shtohen, Edi Rama feston hapjen imagjinare të negociatave. Kjo duhet të marrë fund. Opozita është e angazhuar të paraqesë para faktorit ndërkombëtar, para qytetarëve, por edhe para faktorëve të tjerë politikë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize, planin antikrizë. Ky është tashmë investimi jonë kryesor si opozitë.

Por a është kusht, struktura e posaçme për reformën zgjedhore, që opozita të jetë pjesë e saj?

Basha: Nuk dua të paragjykoj asnjë hap tjetër të mëtejshëm.

Opozita e re parlamentare, protestoi kundër propozimit të demokratëve.  Por Lulzim Basha,  nuk i njeh fare ata.

Partia Demokratike ka platformën e saj për reformën zgjedhore dhe një platformë antikrizë për zgjidhjen e situatës politike.

Kreu i PD-së shprehet se në kushtet e Gjermanisë tregohen qartë përgjegjësitë që ka Edi Ramën në drejtimin e vendit.

Pjesë nga intervista ekskluzive e Bashës për RTV Ora, 26 shtator 2019

Basha tha se opozita është e fokusuar për planin antikrizë dhe platforme kombetare ndryshimi

Basha: E shohim veten jo vetëm si opozita e vendit, por edhe si alternativa qeverisëse e së nesërmes dhe e dimë që shqiptarët presin. Shqiptarët më shumë se denoncime presin rrugën e daljes nga kriza. Kjo është detyra jonë kryesore për tu dhënë shqiptarëve platformën e ndryshimit që meritojnë.

"Rama i trembet ndërkombetarëve"

Gazetarja: Nuk e kemi dëgjuar më "Rama ik", a jeni gati të ulemi me Ramën si kryeministër në tryezë?

Basha: Janë spekulime mediatike. Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të  propozuar nga faktori ndërkombëtar në të cilën PD dhe opozita e bashkuar do të ishin të gatshëm si një trupe e vetme të jepnin kontributin për daljen nga kriza. Refuzuesi i vetëm ka qenë Edi Rama. Pak rëndësi ka ulja apo mosulja në një tavolinë. Ne si opozitë kemi dhënë angazhimin tonë, është Edi Rama që i trembet pranisë së faktorit ndërkombëtar sepse i trembet gjykimit të pavarur të atyre që duan të mirën e Shqipërisë dhe njësoj si opozita, si qytetarët shqiptarë nuk vënë interesin e tyre para interesave të vendit.

Reforma zgjedhore

Basha shmangu përgjigjen kur u pyet, se a do të shkojë më PD në tryezën për reformën zgjedhore nëse PS refuzon propozimin e tyre për krijimin e një strukture te posaçme.

Basha: Nuk dua të paragjykoj asnjë hap tjetër të mëtejshëm.

Basha nuk njeh opozitën në Kuvend

Shefi i opozitës i pyetur nëse PD po shmang opozitën parlamentare për reformën zgjedhore dhe po kërkon negociata vetëm me PS dhe ndërkombëtarët për reformën zgjedhore dhe krizën dha këtë përgjigje për RTV Ora.

Basha: Ka vetëm një opozitë, opozita politike e vendit. Parlamenti monist me pseudo-komisione dhe pseudo-opozita të financuara, të mbështetura dhe keqëpërdorura nga Edi Rama nuk përfaqësojnë asgjë veç veten e tyre.

Intervista u dha për gazetaren e RTV Ora, Fjorela Beleshi.


/Ora News.tv/