Basha ja kalon topin Ramës: Ta zgjedhë ai sistemin, unë preferoj mazhoritar të pastër

Basha ja kalon topin Ramës: Ta zgjedhë ai sistemin, unë preferoj

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në emër edhe të opozitës së bashkuar  shprehet i hapur për ndryshimin e sistemit, duke ja kaluar topin PS dhe kryetarit të saj Edi Rama.

Vetë ai thotë se preferon sistemin mazhoritar të pastër, por shton se nuk ka asgjë kundër as ndaj listave të hapura.

Megjithatë Basha instiston se problemi me zgjedhjet në Shqipëri nuk qëndron te sistemi, por te ndarja e politikës me krimin.

Basha: Le ta zgjedhë vetë Edi Rama sistemin po të dojë, për mua. Ta zgjedhë kush të dojë. PD ka fituar me mazhoritar të pastër, me mazhoritar me korrektim proporcional, ka fituar me proporcional. Nuk është problemi i sistemit. Problemi është nëse zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje ku do të vendosin shqiptarët apo do të vendosë prapë krimi i organizuar. Për mua procesi duhet të kalojë vetëm përmes konsultimit me gjithë shqiptarët.

Është iluzion i rrezikshëm të thuash se fajin për të gjitha këto e ka sistemi. PD, unë dhe opozita e bashkuar nuk kemi asnjë problem me një sistem që nesër do të ketë mbështetje popullore. Për çdo sistem me kusht që të jetë produkt i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës të gjithë qytetarëve shqiptarë. Futja e diskutimit te sistemi është shërbimi më i mirë për të larguar vëmendjen nga problemi numër një që ka sot Shqipëria, kriminalizimi i vendimmarrjes politike nga Edi Rama. Në këtë kuadër do të jem i lumtur të pranoj verdiktin e qytetarëve shqiptarë për çfarëdo sistemi që të dëshirojnë. 

Unë preferoj mazhoritarin e pastër, por edhe ai do të dështojë nëse nuk ndajmë politikën nga krimi, nuk zbrapsim paratë e pista të oligarkëve dhe krimit, nuk ndëshkojmë krimin elektoral.Nuk kam asnjë problem me sistemin e listave të hapura apo listave kombëtare.Është një vendim që do tu takojë shqiptarëve. Por është gjëja më e gabuar nëse diskutimi për dekriminalizimin përfundon në diskutimin për sistemin.Është nderi më i madh që i bëhet Edi Ramës dhe kriminelëve të tij në Kuvend e Bashki.


EMISIONET