Lulzim Basha refuzon të takohet me Edi Ramën  për reformën zgjedhore,  ndërsa i kujton atij se opozita ka dorëzuar zyrtarisht një plan për këtë çështje. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha tha se kryeministri  ose duhet ta zbatojë planin, ku përfshihet propozimi për një strukturë të posaçme me pjesmarrje të BE-së dhe SHBA-së,  ose të hapë rrugë.

Kryetari i Partisë Demokratike ju përgjigj vullnetit të kryeministrit Edi Rama, i cili thotë se është i gatshëm t’i shkojë në zyrë Lulzim Bashës për reformën zgjedhore.

Kreu i opozitës tha se Rama ka në tryezë planin e opozitës për ligjin zgjedhor, ndërsa i kërkoi ta zbatojë ose ndryshe tha se ai duhet të hapë krahun.

Lulzim Basha: Kjo nuk është një çështje për Bashën, nuk është një çështje për Ramën. Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza, ne kemi një plan, një propozim për Reformën Zgjedhore. Ia kemi dorëzuar këtë plan Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij. Ta marrë e ta zbatojë! Nëse nuk e zbaton dot, të hapë krahun se jemi të gatshëm ta zbatojmë ne!

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe aleatët e Lulzim Bashës, Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Monika Kryemadhi e LSI-së.

Monika Kryemadhi: Le të vijë tek selia e PD-së por ka 5 kushte të kthejë përgjigje dhe më pas takohemi se Rama është humorist, sidomos kohët e fundit kur kemi mbetur pa humoristë.

Fatmir Mediu: Nuk është çështje batutash më. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta shohim situatën ashtu siç është, për më tepër kryeministri i vendit. Është e rëndësishme të shohim kush janë problemet që ka Shqipëri dhe problemet sot janë në anën e Ramës. 

Por çfarë parashikon plani i Partisë Demokratike për reformën zgjedhore?

Ekspertët demokratë kanë listuar 5 pika  ku shprehet vullneti për një reformë të plotë zgjedhore, ndërsa thuhet se ajo mund të kryhet vetëm nga subjekte zgjedhore që kanë vullnet për zgjedhje të lira e jo nga individë që janë subjekt i krimeve zgjedhore. 

Në planin e demokratëve vendoset kusht që reforma të mos kryhet nga Komisioni parlamentar, por nga një strukturë e posaçme me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve.

Rama replikon me Bashën: Kali me karrocë i thotë trenit hap krahun

Kryeministri Edi Rama replikoi me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha i cili paraditen e sotme deklaroi se i kishte vënë në tavolinë platformën e antikrizës. Nëse nuk e zgjidhte duhej të hapte krahun.

Pyetjes së gazetares së RTV Ora, Fjorela Beleshi se cilën rrugë do të zgjidhte Rama u përgjigj: "Më e rëndësishme sesa të merremi me procesin ai tha ky shkoi të merremi me njerëzit e botën reale. Tërmetet artificiale kam në dorë ti krijoj por jo ti parandaloj kur ndodh diku tjetër. Tërmetet natyrale askush nuk i ndalon dot. Ajo që kemi në dorë është të bëjmë atë që kemi në dorë. Eshtë njëlloj si një kalë me karrocë ti thotë hap krahun një treni të shpejtesisë së larte" 

Rama: Jam gati të shkoj dhe në selinë PD për dialog 

Dje në një intervistë për Report TV Rama u shpreh se ishte gati të shkonte dhe në selinë PD për dialog por nuk do presë gjatë.

"Kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është cështje vendi, formati, apo imponimi të axhendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon" u shpreh Rama.



 

/Ora News.tv/