Basha i përgjigjet eurodeputetëve me një thënie të Kenedit

Basha i përgjigjet eurodeputetëve me një thënie të

Lulzim Basha iu përgjigj nga Shkodra delegecionit të PE-së, duke theksuar se rrugën drejt Europës nuk po e pengon opozita por qeveria e kapur nga krimi. Në Europë, tha Basha, nuk shkohet me gënjeshtra, ndërsa i pyeti ndërkombëtarët  nëqoftëse do pranonin një qeveri të lidhur me krimin që ka nënshtruar qytetarët.

Kryetari Partisë Demokratike iu përgjigj nga Shkodra, kritikave të delegacionit të Parlamentit Europian.

Basha: Kenedi pat thënë dikur "mos pyesni çfarë do bëjë vendi juaj për ju, por pyesni çfarë do bëni ju për vendin tuaj".

Pas një takimi me strukturat, Basha tha se kjo sakrificë që po bën opozita, është e domosdoshme për të zhbllokuar rrugën drejt Europës.

Basha: Rrugën drejt Europës e pengon krimi dhe korrupsioni, ortakëria me krimin e organizuar. Sakrifica e opozitës është për të rikthyer demokracinë e vërtetë, për të mos qene fasadë e një parlamenti prodhim i krimit. 

Detyra jonë është që me durim dhe me vendosmëri të shpalosim të vërtetën dhe faktet që, për një kohë kaq të gjatë, janë helmuar nga propaganda e Edi Ramës. E vërteta dhe faktet na çojnë drejt Europës. Nuk shkohet në Europë me gënjeshtra, me hilera. Në Europë shkohet më të vërteta dhe me vlera. Dhe në këtë rrugëtim e nisim pikërisht në emër të vlerave.

Opozita, tha Lulzim Basha, do ti ndalë protestat vetëm kur të krijohet një qeveri  tranzitore dhe zyrtarët e korruptuar të shkojnë para drejtësisë.

Basha: Kjo është një betejë që ne e bëjmë për vlerat europiane. Kjo është një betejë që e bëjmë për njerëzit, ndaj e bëjmë me njerëzit, jo të izoluar nga ata siç është klika kriminale në pushtet.

Sot Shqipëria, tha Basha, nuk ka parlament por një bandë ku sipas tij një në 3 deputet përfaqëson bandat.

Basha tha se protestat dhe mosbindja civile do të vazhdojë për largimin e Ramës.  Ai i drejtoi disa pyetje ndërkombëtarëve.

Basha: A do të pranonit për vendin tuaj, këtë që i kërkoni shqiptarëve të pranojnë për veten e tyre?

A do të pranonit një kryeministër që vjen me krimin, qeveris për krimin në vend që t’i shërbejë popullit?

A do të pranonit vjedhjen masive të parave të shqiptarëve me PPP korruptive, me tendera korruptivë të demaskuar edhe nga mediat ndërkombëtare?

A do të pranonit bashkëqeverisjen në çdo nivel, me bandiët që terrorizojnë qytetarët?

A do të pranonit mjerimin ekonomik, varfërinë, mungesën e shpresës dhe emigracionit që kjo ka mbjellur?

Sepse përgjigja e tyre do të ishte e thjeshtë dhe e qartë: Askush nuk e pranon këtë për veten e tyre, nga Skandinavia deri në vendet anëtare të BE-së në Mesdhe.

EMISIONET