Akuzave të kryebashkiakut, Lulzim Basha, i cili me anë të një video e renditi në mesin e 27 politikanëve të PS-së të lidhur me krimin, kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u është përgjigjur me një ftesë ndaj kryeopozitarit për ta pritur në zyrën e Bashkisë.

Ndreu: Për Lulzim Bashën: Zoti kryetar i opozitës të pres për një vizitë në Bashkinë e Lezhës ku të diskutojmë për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e qytetit. Keni rol për të luajtur në planet e zhvillimit dhe jam gati të vë shiritin e të pres.

Basha denoncoi se "Pjerin Ndreu është në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003. I larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjimet e manipulimit zgjedhor në dosjen 184, nuk dënohet, por kandidohet dhe mbrohet nga Edi Rama".

Por për vërtetimin e këtyre pretendimeve, Pjerin Ndreu thotë se do të ballafaqohen në gjykatë, duke kujtuar se ka pasur një tentativë të mëhershme nga paraardhësit e Bashës por që kanë dështuar me sukses.

Ndreu: Sa për inkriminimin tim, së shpejti shihemi në Gjykatë. As ti e as perëndia në qiell nuk ka shansin të më gjejë qoftë një element sado të vogël inkriminimi. Kohë para teje janë bërë prova serioze nga më të zotë se ti për të më gjetur fakte e prova inkriminimi, por kanë dështuar me turp. Lëri llafet në erë se i sqarojmë në gjykatë, por më thuaj kur do vish në Lezhë të pres!

Reagon PD: Pjerin Ndreu do të ikë me pranga në duar nga Bashkia e Lezhës

Pas Ndreut reagoi edhe Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.Sipas Kasos, reagimi i Pjerin Ndreut është ai i një trafikanti, që ndjehet i sigurtë nga mburoja e bosit të trafikantëve dhe kriminëleve, i ulur në karrigen e kryeministrit të vendit.

Kaso: Lulzim Basha patjetër që do të vijë  në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj për të drejtuar vendin dhe për t’u hapur rrugë planeve të zhvillimit në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Por si fillim, Bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD garantoi se zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen.

Kaso: Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme!

/Ora News.tv/