Kryetari i PD, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat tha se beteja e opozitës do të vazhdojë, duke lënë të kuptohet se do të këtë sërish protesta.

Kryeopozitari u shpreh se në betejën që ata kanë nisur do të këtë edhe humbës, por ata do të jenë një grup i vogël pushtetarësh të korruptuar. Ndërsa ata që do fitojnë janë gjithë shqiptarët.

Basha: Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Evropa vazhdon me vendosmëri, asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Shumë kush është në ankthin e asaj që do të vijë. Shumë të tjerë të ndarë padrejtësish në ne dhe ata presin se çfarë do të ndodhë. Ajo që dua t'ju garantoj sot është se në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta liria dhe demokracia. Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur.  Por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithçka dhe marrin gjithçka. Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve.  

/Ora News.tv/