Bare e Kumbulla njëzëri: Emocion i madh, do japim gjithçka për fanellën kuqezi

Bare e Kumbulla njëzëri: Emocion i madh, do japim gjithçka

Kombëtarja shqiptare e futbollit po stërvitet intensivisht për dy takimet kualifikuese të Euro 2020 kundër Francës më 7 shtator dhe ndaj Islandës në "Elbasan Arena" tre ditë më pas.

Për të folur për grumbullimin dhe dy sfidat e radhës kualifikuese, sot në konferencë për shtyp kanë dalë Keidi Bare dhe Marash Kumbulla.

Mesfushori Bare në fjalën e tij u shpreh i lumtur për rikthimin në skuadrën Kombëtare dhe theksoi se do të japë maksimumin e tij.

 “Të them të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj që tani të jap maksimumin për të mirën e ekipit. Me trajnerin kam folur pak para dy ditësh dhe më foli shumë fjalë të mira. Nuk e di a do të luaj, por po punoj fort që të justifikoj në fushë besimin e teknikut. Nëse luaj e vendos trajneri, por pavarësisht se kush do luajë, rëndësi ka që të dalim sa më mirë në këto takime.

Rivaliteti në mesfushë? Unë stërvitem maksimalisht për veten time dhe jam i përqendruar për të bërë më të mirën për ekipin. Ata kanë shumë ndeshje me Kombëtaren dhe shumë eksperiencë, pro unë jam gati të jap më të mirën time.Unë punoj fort për t’u rritur vazhdimisht, pasi nuk duhet vetëm një sezon i mirë, por rritje e vazhdueshme nga java në javë. Besoj se do vazhdoj të punoj në të njëjtën mënyrë, për të bërë më të mirën time si për skuadrën ku luaj, ashtu edhe kombëtaren. Skuadrën e shoh shumë të motivuar dhe të gjithë punojnë shumë mirë, duke dhënë maksimumin, por duhet të theksoj se Franca është një ekip shumë i madh dhe ka emra shumë të bujshëm në organikë, që mund të bëjnë shumë mirë, megjithatë ne jemi gati të japim maksimumin, për të marrë një rezultat të mirë.

Sadiku te Malaga? Fola me Sadikun dhe më tha që ndihet shumë mirë atje. Njerëzit atje janë shumë mikpritës dhe besoj se Sadiku do të japë maksimumin për të bërë diçka të mirë për atë skuadër.

Rezultativ pozitiv në Francë? Unë besoj çdo gjë, pasi në futboll mund të arrish gjithçka, pavarësisht kundër kujt luan. Megjithatë ne duhet të japim maksimumin tonë dhe të shpresojmë që të marrim diçka. Franca është shumë ekip i fortë, por ne mund të tentojmë që të marrim të paktën një barazim”.

Mbrojtësi 19 vjeçar, Marash Kumbulla pranoi se ishte shumë i emocionuar për këtë grumbullim në Kombëtare dhe se po jeton një ëndërr me debutimin si titullar në Serie A këtë sezon.

“Isha shumë i emocionuar, pasi jam 19 vjeç dhe do të luaj sërish me Shqipërinë U21. Megjithatë isha shumë i lumtur kur më thirri trajneri Reja. Reja është një trajner italian dhe ky fakt më ndihmon të kuptoj më lehtë idetë e tij. Megjithatë fakti që vij nga Seria A, nuk ma bën më të lehtë, pasi trajneri i shikon të gjithë në stërvitje dhe më pas vlerëson e zgjedh më të mirët. Më duket skuadër shumë e mirë, me shumë lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare. Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë të mundemi në këto dy takime. Më kanë pritur shumë mirë dhe më ndihmojnë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, ku më mbajnë afër.

Debutimi në Serie A? Është një ëndërr që sapo ka nisur. Trajneri Juriç më ka besuar shumë dhe më ka dhënë hapësira, ndaj shpresoj të vazhdoj kështu e të justifikoj besimin e tij deri në fund. Unë nuk mendoj për më vonë, pasi duhet të jem i përqendruar te Verona, megjithatë shpresoj të shkoj sa më lart të mundem në karrierë.

Idhulli juaj? Si mbrojtës më pëlqen shumë Chiellini. Është e vështirë të arrish nivelet e tij, por është lojtari që unë ndjek”, u shpreh Kumbulla.

EMISIONET