"Babale", 1 vit burg për ish-deputetin. Salianji pas vendimit: S'ka mafia që më ndal!

Gjykata e Tiranës ka dënuar 4 të pandehurit e dosjes "Babale", mes tyre dhe ish-deputetin Ervin Salianji, ndaj të cilit u vendos 1 vit heqje lirie. Për Albert Veliun u vendos 3 vite e 4 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj  burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune. Në përfundim të seancës  Salianji akuzoi Artan Gjermenin, gjyqtarin që dha vendimin për dënimin e tij, se është anëtar i Bandës së Lushnjes.

Pas seancës që zgjati për 5 orë, Ervin Salianji u dënua për veprën penale të kallëzimit të rremë, ndërsa për të njëjtën vepër, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi dënimin me 2 vite burg për Fredi Alizotin.

LEXO EDHE: Prokuroria kishte kërkuar 1.6 vite burg për Salianjin, që do të mund të konvertohej në 3 vite shërbim prove.

Ndërkohë Albert Veliu është dënuar me 10 muaj burg për kalim kufiri dhe 2 vite e 10 muaj burg për kallëzim të rremë.

Sakaq gazetari Jetmir Olldashi është dënuar për kallëzim të rremë me 6 muaj burg e cila do të konvertohet me 100 orë punë, pasi Gjykata pranoi kërkesën për pranimin e shërbimit të provës.

Rrethanë lehtësuese përfitoi vetëm Fredi Alizoti si bashkëpunëtor i drejtësisë, pasi është paraqitur vetë dhe ka treguar ngjarjen.

Gjatë seancës ku mbrojtja tha fjalën e saj, u dorëzuan prova të reja nga të pandehurit, ndërsa para vendimit të gjykatës Salianji akuzoi se prokuroria nuk ka asnjë provë, por vetëm urdhër politik.

Ai bëri publike një skicë që sipas tij është harta e qelizave telefonike që tregon se Jetimir Olldashi, Geron Xhafaj dhe Albert Veliu kanë qenë për një orë në të njëjtën zonë, te lokali i vëllait të ish-ministrit kur është bërë regjistrimi i audios në orën 13:30.

Ndërkohë pas vendimit të gjykatës për dënimin e tij, ish-deputeti Salianji akuzoi gjyqtarin Artan Gjermeni, se është anëtar i bandës së Lushnjes dhe militant i Partisë Socialiste.

Salianji: Vendimmarrje e parashkruar shumë kohë më parë e papabazuar në ligj dhe fakte, vetëm në dëshirën e kryeministrit.Ka disa shkelje të qarta që e bën që ky vendim të ishte në këtë konkluzion shumë kohë më parë.Kemi kërkuar tre herë përjashtimin e gjyqtarit. Nuk ka mafia, lluca dhe qelbësira që nuk më ndalin dot.

Vendimi i shkallës së parë do pasojë me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila do vendosë të lërë vendimin në fuqi apo të do e zbusë, ndërsa Salianji në fund të seancës u shpreh se do ndjekë gjitha hallkat e gjyqësorit deri në Strasburg.

LEXO EDHE: Salianji publikon të tjera audiopërgjime mes Alizotit dhe ish-drejtorit të policisë


EMISIONET