Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane nën akuzën e trafikut të drogës. Shqiptarët e arrestuar janë Fabian Gjergji, 28 vjeç dhe Klesti Qose i 29-të.

Hetimet ndaj tyre të zhvilluara nga policia në Pollino, kanë mbledhur prova të rëndësishme për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogës të llojit heroinë dhe marijuanë.

Arrestimet e tyre u bënë në kuadër të një operacioni të koduar "Kali i Zi", për të cilin në fillim të këtij viti janë arrestuar 8 persona.

Dëshmitë hetimore treguan se dy të arrestuarit kishin udhëhequr, organizuar dhe menaxhuar transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të substancës narkotike në periferinë e Caserta-s.

Mediat italiane shkruajnë se dy shqiptarët kanë përdorur një rrjet aktiv në Salento që shfrytëzonte trafikun e drogës nga Ballkani.

Policia ka gjetur rreth 639 gram heroinë dhe më shumë se 3.5 kg marijuanë.

Gjatë kërkimeve të ditës së sotme, një sasi e konsiderueshme heroine u gjet e fshehur në një pajisje shtëpiake (lavatriçe).

Rezultatet e hetimeve nuk përjashtojnë detaje të reja që synojnë identifikimin e atyre që merren me trafikun e lartë të drogës nga rrugët e Ballkanit.

/Ora News.tv/