Analistët: Ngritja e akuzave për shkarkimin e presidentit, një proces i gjatë

Analistët: Ngritja e akuzave për shkarkimin e presidentit, një

Kongresi bëri histori të enjten me një votim që zyrtarizoi hetimet për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Zoti Trump është presidenti i katërt amerikan që bëhet objekt i një hetimi për shkarkim lidhur me dyshimet se u përpoq t’i bëjë presion udhëheqësve të Ukrainës të hetojnë kundërshtarin e tij politik Joe Biden. Materiali i përgatitur nga korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell më shumë detaje se çfarë do të thotë ky votim në Dhomën e Përfaqësuesve dhe se çfarë pritet të ndodhë pas kësaj.

Uashingtoni është përfshirë nga ethet ndërsa Kongresi po bën përpara me hetimin për shkarkimin e presidentit që udhëhiqet nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Zonja Pelosi dhe shumë demokratë të tjera besojnë se Presidenti Trump abuzoi me pushtin duke i bërë presion Ukrainës të hetojë një nga kundërshtarët e tij politikë, ish- Nënpresidentin Joe Biden.

"Ne zotohemi të mbrojmë Kushtetutën dhe këtë gjë nuk mund ta injorojmë. Nuk mund ta injorojmë kur sjellja e presidentit tregon se hetimi për ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e tij është i nevojshëm”, tha zonja Pelosi.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë të bashkuar kundër hetimit. Udhëheqësi republikan Kevin McCarthy thotë se demokratët po përpiqen të zhbëjnë fitoren e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016.

"Demokratët po përpiqen të akuzojnë Presidentin pasi kanë frikë se nuk mund ta mposhtin atë me votë. Këto nuk janë fjalët e mia, këto janë fjalët e kolegëve të mi demokratë, që kanë nisur procedurat për shkarkim në tre periudha të ndryshme", tha ai.

Në një postim në Twitter, Presidenti e kritikoi miratimin e rezolutës që zyrtarizoi hetimet duke e cilësuar si "gjueti shtrigash" . Jo për herë të parë ai u zotua t’i mbijetojë çdo përpjekje për ta larguar nga detyra.

"Kam kaluar gjuetinë e shtrigave të Mueller-it, atë që lidhej me hetimet mbi Rusinë. Kam një gjueti shtrigash çdo javë. Ndonjëherë mendoj cila është gjuetia e shtrigave këtë javë? Ata nuk na mundin dot në kutinë e votimit ndaj përpiqen të na mundin me metoda të vjetra që nuk janë aspak serioze. Ata janë një grup njerëzish të poshtër", tha Presidenti Donald Trump.

Votimi më i fundit në Dhomës së Përfaqësuesve i jep një shtysë procesit të hetimit thotë gazetarja e agjencisë Associated Press Julie Pace.

"Ka të bëjë me rregullat që do të udhëheqin procesin në vazhdim, atë që lidhet me dëshmitë publike dhe asaj që publiku duhet të dijë rreth seancave dëgjimore me dyer të mbyllura".

Vota në Dhomën e Përfaqësuesve nisi një kapitull të ri të rëndësishëm të hetimeve thotë analisti John Hudak.

"Një pjesë e arsyes për ta bërë këtë është transferimi i procesit në fazën tjetër, në fazën publike të tij, por gjithashtu për t’i bërë presion republikanëve që të mos kenë më argumenta kundër procedurës që është ndjekur për hetimin", John Hudak, Instituti i Brookings.

Por ky do të jetë një proces që mund të zvarritet për ca kohë, thotë analisti John Fortier.

"Në Dhomën e Përfaqësuesve ka të ngjarë që do të zgjasë për disa muaj. Jemi vetëm në fillim të procesit të hetimit. Nëse do të ketë gjykim në Senat dhe drejtuesi i maxhorancës në Senat tha se do të ketë, nëse do të ngrihen zyrtarisht akuzat për shkarkimin e presidentit, ka të ngjarë që edhe ky proces të zgjasë një muaj ose dy muaj. Pra kjo çështje mund të vazhdojë edhe për gjatë vitit të ardhshëm", thotë John Fortier, i Qendrës për Politika Dypalëshe.

Një votim i Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur zyrtarisht akuzat për shkarkimin e Presidentit do të ishte i barazvlefshëm me një aktakuzë për shkelje të ligjit.

Kjo do të çonte çështjen për gjykim në Senat, ku senatorët do të vendosnin nëse do ta largojnë ose jo presidentin nga detyra.

Seancat dëgjimore publike lidhur me hetimin pritet të fillojnë më vonë gjatë këtij muaji./VOA/

EMISIONET