Amnesty International fut Trump në mesin e shkelësve të të drejtave të njeriut

Amnesty International fut Trump në mesin e shkelësve të të

Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International akuzoi presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për "politika të urrejtjes" dhe për "të qenët kërcënim për të drejtat e njeriut".

"Presidenti Trump bën veprime që shkelin të drejtat e njerut në SHBA dhe jashtë", tha Amnesty International.

Në raportin e saj vjetor, të titulluar Gjendja e të Drejtave të Njeriut në Botë, organizata e vuri Trumpin në të njëjtin grup me udhëheqësit e Egjiptit, Rusisë, Kinës, Filipineve dhe Venezuelës.

"Spektri i urrejtjes dhe i frikës tani duket i madh në çështjet botërore. Ne kemi pak qeveri që mbështesin të drejtat e njeriut në këto kohë shqetësuese", tha Salil Shetty, udhëheqës i Amnesty International.

Në raport, mes tjerash, thuhet se politika e Trumpit, për t'iu ndaluar hyrjen në SHBA qytetarëve të disa shteteve me shumicë myslimane, ka qenë një "veprim transparent i urrejtjes".

Në mesin e çështjeve të tjera që nxjerr në dukje raporti i Amnesty International, janë: "fushata e tmerrshme ushtarake e spastrimit etnik" kundër myslimanëve Rohingya në Mianmar, "krimet kundër njerëzimit" dhe krimet e luftës në Irak, Sudanin Jugor, Siri dhe Jemen, shtypjet e komunitetit LGBT në Çeçeni dhe Egjipt e të tjera./REL

EMISIONET