Sheshi ku ka qenë Teatri po kthehet në një shesh ndërtimi por  Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është e vendosur për të mos lejuar ndërtimin e kullave në sheshin ku ka deri më 17 maj ishte ngritur godina e Teatrit Kombëtar.

 “Kanë filluar të bëjnë shpime në tokë. Duan ta bëjnë rrethimin e zonës për ta kthyer nga shesh krimi në shesh ndërtimi” denoncoi pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci në një intervistë live nga sheshi me gazetaren Beti Njuma ne studion e RTV Ora .

Kjo ishte dhe arsyeja e protestës së organizuar me shpejtësi pasditen e sotme.

“Këtu janë qindra, nuk janë shumë sepse për 1 orë sa mund të mblidheshin. Nuk do ti lëmë të nisin punimet dhe të progresojnë me projektet e tyre kriminale për të për të fshehur  krimin dhe varrosur vendin e krimit” nënvizoi Goci.

I shqetësuar i bën thirrje SPAK dhe prokurorisë të shkojë në vendin e krimit për të mbledhur prova pasi ato varrosen

“Nëse Teatrin e prishën për 15 minuta, goditën fasadën godina e re, sado shpejt ta bëjnë ata edhe me variantin kinez, mbi 6 muaj do, dhe për 6 muaj ata do të kenë luftë e betejë. Unë mendoj që e vetmja mënyrë që kjo situatë të marrë një drejtim është që prokuroria apo SPAK të vërë sigurimin e provës të mos lërë askënd tjetër, sepse ky është vend krimi. Të mos bëjnë hetime me letra, por në vendin e krimit. Këtu janë bërë dëme kolosale. “

“Nuk do të lëmë të nisim punimet.  Do të ruajmë territorin sepse vazhdon të mbetet pronë publike. Nuk do të jepet për kulla dhe nuk do të ndërtohet asgjë. Prokuroria, ku kane investuar kaq shumë, po fle gjumë dhe nuk bën asgjë.  Vetëm po e përkeqëson situatën. Këtu është rrëmbyer një pronë publike, është goditur një godinë kur kishte njerëz është kryer një akt kriminal dhe nuk ka asnjë reagim. Pas kësaj vjen kaosi."

Goci tregon dhe momentet e tmerrit të mësymjes në Teatrin Kombëtar.

“Në momentin që është goditur fasada unë kam qenë brenda. Nuk kam qenë vetëm unë por të paktën 7-8 veta mbyllur në një dhomë dhe kemi dalë me urgjencë sepse dëgjuam goditjen. Ka njerëz që nuk ka pasur as numra në uniformë. Për mua mund të kenë qenë militant por është e sigurtë që ai nuk ka qenë operacion policie por operacion kriminal i një bande.” 

/Ora News.tv/