Aktori i famshëm francez Gérard Depardieu është nderuar me “Çelësin e qytetit” nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Depardieu ndodhet prej dy ditësh në Gjirokastër në kuadër të xhirimeve për filmin “Milosheviçi dhe unë”, i regjisorit nga Prishtina Arben Kastrati.

“Një qytet i përbotshëm si Gjirokastra ka edhe qytetarët e vet që i njeh bota mbarë. Një prej tyre është aktori francez Gérard Depardieu, të cilit me kënaqësi dhe vlerësim të lartë i dhurova sot në mënyrë simbolike “Çelësin e qytetit”. Prania e tij në qytet për herë të parë ka një rëndësi të madhe për Gjirokastrën. Njerëz si Gérard Depardieu janë mesazherë dhe promovues të rëndësishëm të qytetit në nivel ndërkombëtar. Vlerë e shtuar është natyrisht edhe vetë filmi, disa skena të të cilit po xhirohen në Gjirokastër. Besoj se Depardieu do të rikthehet sërish, njësoj si shumë të tjetër që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet dhe janë magjepsur prej tij, aq sa kanë rezervuar një vizitë të dytë, një të tretë… e kështu me radhë. Merci beaucoup monsieur Depardieu”, shkruan në Facebook kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Disa prej skenave të filmit “Millosheviçi dhe unë” janë xhiruar mbrëmjen e sotme në Pazarin e Gjirokastrës, ku kishte mes të tjerash edhe flamuj të Serbisë. Filmi sjell ngjarje të vitit 2003 që përkojnë me  periudhën e pasluftës në Kosovë.

/Ora News.tv/