Një turist zviceran është aksidentuar teksa ishte duke udhëtuar me motor. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkurë, në fshatin Prekal.

Policia thotë se turisti 64-vjeçar  duke udhëtuar me motoçikletë doli  nga rruga dhe ra rreth 120 metra në humnerën mbi lumin Kir.

"Rreth orës 19:30, në rrugën Shkodër- Bregu i lumit, në vendin e quajtur Prekal, shtetasi zviceran J. B., 64 vjeç, banues në Zvicër, dyshohet se ka humbur kontrollin e drejtimit të  motoçikletës dhe ka dalë nga rruga duke rënë rreth 120 metra në humnerën mbi lumin Kir", sqaron policia.

Policia thotë se në sallën operative erdhi një telefonatë nga një banor i zonës i cili kishte parë ngjarjen. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan forcat e Policisë dhe në bashkëpunim me banorët e zonës, kanë bërë të mundur nxjerrjen e  64 - vjeçarit nga humnera duke e transportuar më pas në spital.

Shtetasi zviceran ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e duhur në spitalin Rajonal Shkodër .

/Ora News.tv/