Ministrja Balluku dështon me aeroportin, nuk mori asnjë masë për sigurinë

Ministrja Balluku dështon me aeroportin, nuk mori asnjë masë

Pavarësisht se aeroporti i Rinasit ka rënë pre e grabitjes për herë të dytë, Ministria e Infrastrukturës nuk ka marrë asnjë masë ndaj koncesionarit. Edhe pse duhej të rishikonte kontratën sipas fitimeve dhe mbi të gjitha ka pasur një raport i cili tregon se nuk ofrohet siguria e duhur në aeroport ministrja Belinda Balluku nuk ka reaguar por fajëson koncesionarin për këtë gjendje.

Grabitja e miliona eurove në Rinas mund të thuhet se është një ngjarje e paralajmëruar.

Prej muajsh në tryezën e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, dhe të institucioneve të tjera, qëndron një raport i hollësishëm i auditit mbi risqet në aeroport, prej këtij institucioni nuk është ndërmarrë asnjë hap.

Materiali është dorëzuar në maj të vitit 2018. Pas grabitjes së ndodhur në 2016, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kane bërë 3 testime për sigurinë në aereoport  për futjen  e eksplozivit; futja e armëve të ftohta dhe çarja e rrethimit (perimetrit të jashtëm).

Në të tre rastet, siguria ka dështuar të detektojë rrezikun. Tritoli është futur, po ashtu edhe thika.

Rasti më i rëndë ka qenë futja në të njëjtën pikë nga ku depërtoi brenda pistës së Rinasit makina e grabitësve në qershor 2016.

Për 10 minuta, simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar.

Për ngjarjen ka reaguar edhe vetë Ministrja Balluku. Edhe pse ka më shumë se tre muaj në detyrë, duket se ky sektor nuk ka qenë në prioritetet e saj.

Por të vetmin qëndrim ajo e ka bërë pas grabitjes së parave të tre bankave të nivelit të dytë.  

Sipas saj, kompania nuk i është përgjigjur si duhet përpjekjeve të institucioneve shtetërore për rritjen e sigurisë.

Në këtë mënyrë ajo pranon dhe pafuqinë për të vepruar, edhe pse shpesh shquhet për vendime ekstreme ndaj investitorëve.

Madje për çudi ajo i bën thirrje shtetit që të veprojë më forcë për të marrë masat.

Për ngjarjen ka reaguar dhe ministri Sandër Lleshaj, i cili ka akuzuar koncensionarin se nuk i është përgjigjur thirrjeve për të marrë masa të sigurisë.

Lleshaj: Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare.

Lleshaj u shpreh se policia tashmë do të marrë masa për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në deklaratën për mediat ai u shpreh se grabitja zgjati pak sekonda dhe se autorët kanë lënë shumë gjurmë.

EMISIONET