Adrian Paci për Ora News: Për herë të parë së shpejti një ekzpozitë në Tiranë

Adrian Paci për Ora News: Për herë të parë së

Artisti i njohur shqiptar Adrian Paci së shpejti do të hap ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë e Arteve në Tiranë.   

Përmes mikrofonit të Ora News në Romë ai ka informuar se është hera e parë që mbërrin në Tiranë me një ekspozitë personale, e në një institucion kombëtar kaq të rëndësishëm për artin shqiptar sic është Galeria e Arteve.

Adrian Paci i cili prej vitesh jeton në Milano të Italisë konsiderohet një nga artistët më të rëndësishëm të artit bashkëkohor botëror.

Ai ka qënë i ftuari special në një seminar arti i zhvilluar në Muzeun e Artit Bashkëkohor Macro të Romës.

Në titullin "Zhvendosje e hapje" Adrian Paci ka zhvilluar një bashkëbisedim me artistë e me publikun italian mbi konceptin e artit të tij.

Përmes imazheve e videove, që shpesh i referohen Shqipërisë e vendilindjes së tij Shkodra, Adrian Paci shfaq se si zhvendosja e një objekti, i një imazhi, apo i një fotografie i jep artit një mundësi të re interpretimi si në teknikë ashtu dhe në përmbajtje.

Po a është "Zhvendosja e hapja" e Adrina Pacit një dimension i ri për artin bashkëkohor?

Adrian Paci: Arti Bashkëkohor botëror ka më shumë se një shekull që është vendosur në këto aventura të reja "zhvendosje e hapje", pra jemi në një fazë konsolidimi. Por, për Shqipërinë Arti Bashkëkohor vjen vonë pas viteve 90 ndërsa në Europë fillimi i shekullit të XX sjell thyerje, çarje, zhvendosje dhe eksperimentime të reja në fushën e artit. Pra ne sot po vazhdojmë atë çka ka nisur artit bashkëkohor më parë.

Po a është kjo formë arti, një reflektim mbi shoqërinë e sotme moderne?

Adrian Paci: Po patjetër e këtu mund të themi se arti ka diçka të re gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në krahasim me fillimin e  viteve të shekullit të XX ku arti kishte më shumë natyrë eksperimentale e eksperimentonte mundësi të gjuhës së tij shprehëse. Në dhjetëvjeçarët e fundit arti i drejtohet shpesh njeriut, i drejtohet shoqërisë, dinamikave shoqërore, marrëdhënieve njerëzore, Kjo është një dinamikë që e gjen mjaft në zhvillimet e artit e puna ime shpesh i përket kësaj vëmendje, kësaj qasje.

Cili është projekti më i afërt i Adrian Pacit?

Adrian Paci: Besoj se sivjet do të kem për herë të parë një ekspozitë personale në Tiranë. Është ekspozita e parë që bëj në një institucion kombëtar ta artit shqiptar siç është Galeria e Arteve. Po punoj për këtë ekspozitë. 

Më pas do të hap dy ekspozita në Austri, në Salzburg e Krems, në dy institucione muzeale atje. Në korrik do të hap një ekspozitë në Bangkok. E normalisht po punoj për disa projekte të reja që kanë lidhje më këto ekspozita.

Cfarë do i sygjeronit një artistit të ri në Shqipëri të zbuloj ose të përfitoj nga vetvetja në realizimin e tij në artin bashkëkohor?

Adrian Paci: Për artistët e rinj nuk është e lehtë kudo, e aq më pak në Shqipëri, ku për shumë arsye vazhdon të mbetet një skenë e artit me shumë boshllëqe, me shumë mungesa. Por gjithsesi artisti i ri duhet të ketë vullnetin, këmbënguljen, përulësinë për të përballuar sakrificat e shumta që normalisht çdo artist duhet t'i përballoj në fillimet e rrugëtimit të tij, Të ketë besim tek vetja për të gjetur hapësirën e tij në  këtë botë jo shumë të lehtë të artit bashkëkohor. Por gjithsesi kur ky kërkim lind nga besimi se ajo çka përpiqesh të shprehësh ka një nevojë të brendshme që e shtyn, atëherë duhet thjeshtë t'i bindesh kësaj nevoje.

Artisti me origjinë nga Shkodra ka emigruar prej vitit 2000 në Milano të Italisë, Konsiderohet nga emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor botëror, Ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botë ku ka marrë mjaft vlerësime internacionale.

Vepra-video e Adrian Pacit "The Column", Kolona e cila përfaqësoj Shqipërinë në Bienalen e Venecias u shfaq dhe në Muzeun MACRO të Romës.

EMISIONET