Aktori i njohur shqiptar Adem Mikullovci është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 81 vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Begjet Pacolli me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook.

“Sot, pas mesnate, miku dhe kolegu im Adem Mikullovci ndërroi jetë! E lehtë i qoftë Toka e Kosovës dhe Zoti e mëshiroftë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të tij”, ka shkruar Pacolli.

Adem Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtri të Kosovës. Ai ka qenë pjesë e pjeadës së aktorëve të ish-Teatrit Kombëtar Krahinor të Kosovës.  Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër.

Prej atij viti(1968) e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie(nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.

Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas Vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati” stend up komedia “Përgjuesi” etj.