Aktori i njohur i estrades se Fierit Fatmir Xhelili humbi betejën me covid 19.

Aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, Fatmir Xhelili, për 46 vjet rresht, ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si  Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator.
Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Puna si aktor amator ka zënë një vend të veçante për aktorin Fatmir Xhelili.

Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun.  Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, karrierën më të madhe ai e ka në komedi. Ishte regjisori Pellumb Kulla ai që i dha rolin e parë në komedinë me titull “Këpucët angleze”. Për kolegët, aktori Fatmir Xhelili është edhe një bashkëpunëtor shumë i mirë.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me  4 çmime të para si aktori më i mirë.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të  cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.