Ish-eprori i UÇK-së dhe i inteligjencës ushtarake në Kosovë, Sali Mustafa, është personi i parë që arrestohet nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë për krime gjatë luftës me Serbinë. 

Dhomat e Specializuara të Kosovës ekzekutuan të enjten arrestimin e Sali Mustafës, ish-pjesëtarit dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare, i pretenduar për krime lufte gjatë fundviteve 90.

Zyrtari i lartë i Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes u ndalua nga policia në bazë të një fletarresti të lëshuar nga prokurorët e specializuar.

Aktakuzat ndaj Mustafës u konfirmuan edhe nga një prej gjykatësve specialë në Hagë.

“Z. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur,” njoftoi zyra e prokurorit të specializuar.

Gjykata e Posaçme për Kosovën është një organ i përkohshëm i themeluar për të gjykuar pretendimet e raportit të Këshillit Europian të gati 10 viteve më parë se ish-pjesëtarë të UÇK-së gjatë konfliktit luftarak me Serbinë kryen vrasje ndaj civilëve dhe kundërshtarëve politikë.

Sali Mustafa u intervistua nga hetuesit e Zyrës së Specializuar në Hagë edhe nëntorin e kaluar.

Ai u bë pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim në vitin 1988; në ’93-in u dënua nga serbët për organizim kryengritjeje e pasi udhëhoqi njësitet e UÇK-së, vazhdoi misionin për ndërtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, provizorisht edhe si këshilltar i ish-kryeministrit, Agim Çeku.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Më 24 qershor, prokurorët e specializuar njoftuan akuza edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Pretendimet ndaj tyre do duhen konfirmuar ose rrëzuar nga gjykatësit në Hagë brenda muajit tetor.