Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës për armëmbajtje pa leje dhe mucion luftarak.

Të arrestuarit janë K. H., 30 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe S. S., 24 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Arrestimi u bë nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Hyqmet Buzi”, gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.

“Në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e Shqiponjave dhe Shigjetave, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Farkës” u bë ndalimi i mjetit tip “Audi” që drejtohej nga shtetasi S. S. dhe kishte  pasagjer shtetasi K. H. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj mjetit dhe këtyre shtetasve, në çantën e dorës të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën një armë pistoletë dhe fishekë luftarak.Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të banesës të shtetasit S.S., iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi municioni luftarak”.

Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.