Ari arrin vlera historike në bursa, rritje trefishore vlera e argjendit

Ari arrin vlera historike në bursa, rritje trefishore vlera e argjendit

Situata gjeopolitike në botë po pasqyrohet me mbivlerësimin e metaleve të çmuara dhe një rikuperim të çmimit të naftës pas rënieve rekord në muajt e pandemisë.

Metalet e çmuara si ari dhe argjendi po arrijnë vlera historike në bursa në mesin e pasigurive ekonomike dhe politike të nxitura prej koronavirusit të ri.

Që prej fillimit të pandemisë, vlera e arit shënoi të mërkurën për herë të parë kuotën 2050 dollarë për ons apo 32 për qind më shumë se në muajt e parë të vitit.

Me një rritje të përafërt treshifrore raportohet edhe vlera e argjendit, në kuotën e afro 27 dollarëve për ons, bakri 2,9 dollarë, platini 977 dollarë dhe paladi rreth 2,200 dollarë për ons.

Ekspertët parashikojnë që tendenca për rritje do të jetë edhe më agresive për argjendin në muajt që vijnë, pasi me rikthimin e ekonomisë në ritmet e mëparshme, do të përmirësohet konsumi industrial dhe kërkesa për metalin e shndritshëm që shfrytëzohet nga shumë sektorë.

Të tjerë faktorë ndikues janë raportet e acaruara mes SHBA-së dhe Kinës, apo zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkak për mbivlerësimin e këtyre produkteve në bursa është edhe pritshmëria e investitorëve për rritje e inflacionit teksa qeveritë dhe bankat qendrore në botë miratojnë paketa stimuluese trilionadollarëshe, ndaj metalet fisnike shihen si një investim i sigurt në rast luhatjesh ekonomike.

Të mërkurën, edhe vlera e arit të zi në tregjet financiare vijoi prirjen pozitive të pesë ditëve të fundit duke prekur vlerën e rreth 45,6 dollarëve fuçia, ndërsa nafta bruto e standardit amerikan u afrua drejt pragut të 43 dollarëve fuçia, rreth 19 për qind më poshtë nga viti në vit.

Ndërkaq në Europë, Eurostat raportoi një përmirësim të aktivitetit tregtar.

Sektori i shitjeve në eurozonë raportoi 5,7 për qind rritje në muajin qershor nga muaji i mëparshëm, pas rënieve rekord në mars dhe prill kur shumica e vendeve të BE-së nisën të aplikojnë karantinë të ashpër prej pandemisë në popullatë.

Shitjet më të mëdha u regjistruan në Irlandë, Spanjë dhe Itali, ndërsa Gjermania dhe Austria pësuan ulje, ndërkohë që shitjet me internet në qershor zbritën me 6,8 për qind në të gjithë bllokun e eurozonës, duke i bërë bizneset tradicionale më të preferuar për konsumatorët.

Bota Lajme ari argjendi bakri

EMISIONET