Ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani kërkon kthimin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi KLGJ deklaroi mbarimin e mandatit të tij me kërkesë të Presidentit të Republikës.

Në një letër të dërguar kryetares aktuale të KED, Vitore Tusha, Dvorani shprehet se mbarimi i mandatit të tij në Gjykatën e Lartë, nuk e pengon në cilësinë e tij si anëtar i KED.

Duke njoftuar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e datës 21 gusht, deri në sqarimin e çështjes, Dovrani kërkon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të shprehet në lidhje me statusin e tij si anëtar.

Dvorani, i cili tashmë është gjyqtar i Apelit Administrativ, vë në dukje boshllëkun në ligje dhe në kushtetutë në lidhje me këtë çështje duke theksuar se baza ligjore aktuale nuk ka asnjë rregullim konkret dhe të shprehur, në lidhje me rastet kur anëtarë zëvendësues të KED, gjatë vitit kalendarik të mandatit ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit nga i cili janë zgjedhur.

Për këtë arsye, Dvorani shprehet se ndryshimi i detyrës së tij nga gjyqtar në Gjykatën e Lartë në anëtar të Apelit administrativ, nuk sjell asnjë pasojë në mandatin e tij 1-vjeçar si anëtar i KED deri në fund të këtij viti.