Anglia pritet të lehtësojë masat anticovid

Anglia pritet të lehtësojë masat anticovid

Kryeministri britanik, Boris Johnson do të njoftojë ditën e sotme planet për të rihapur shkollat e Anglisë dhe për te lejuar njerëzit të takojnë familjet e tyre, raporton Reuters.

Me më shumë se 120.000 viktima nga Covid-19, Britania mban vendin e pestë në botë për numrin më të lartë të vdekjeve nga pandemia.

Por vaksinimi i shpejtë dhe masat e forta të marra nga qeveria do ta lejojnë kryeministrin Johnson të vendosë një lehtësim të kufizimeve në Angli.

"Vendimet tona do të merren në lidhje me të dhënat e fundit dhe ne do të jemi të kujdesshëm në lidhje më këtë qasje në mënyrë që të mos kthejmë prapa progresin që kemi arritur  deri tani dhe sakrificat e secilit prej jush," shkruan ai në Twitter.

“Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë kthimi i fëmijëve në shkollë, gjë që ne e dimë se është thelbësore për arsimimin dhe mirëqenien e tyre. Ne gjithashtu do të kemi përparësi që njerëzit të ribashkohen me të dashurit e tyre në mënyrë të sigurt ", tha ai, përpara njoftimit të tij të plotë në parlament që do të mbahet në 15:30.

Ligjvënësit do të kenë mundësi që të votojnë mbi planet e Johnson.

Autoritetet në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, të cilat janë përgjegjëse për shëndetin e tyre publik, do të lehtësojnë gjithashtu kufizimet gjatë muajve të ardhshëm.

Nadhim Zahawi, ministri i ngarkuar me përhapjen e vaksinave, tha se shkollat ​​angleze do të rihapen më 8 mars.

Rihapja e shkollave pritet të ketë një ndikim pozitiv në ekonomi.

Zahawi gjithashtu tha për Radio LBC se dy persona nga familje të ndryshme do të lejohen të takohen në ambiente të jashtme nga data 8 mars, ndërsa nga data 29 mars shoqërimi në natyrë do të lejohet për grupe prej gjashtë personash maksimalisht, ose për dy familje së bashku. 

Sportet në natyrë gjithashtu do të lejohen të rinisin nga data 29 mars, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock tha të dielën se pas çdo hapi për të lehtësuar kufizimet, do të kishte një pushim prej dy javësh për të vlerësuar ndikimin përpara çdo hapi të mëtejshëm.

Johnson pritet të thotë se lehtësimi i kufizimeve do të përcaktohet nga faktorë të tillë si shpejtësia dhe suksesi i programit të inokulimit, gjendja e normave të infeksionit dhe ndikimi i çdo varianti të ri të virusit.

Britania lëvizi më shpejt se shumë vende të tjera perëndimore për të siguruar furnizime me vaksina dhe ka vaksinuar njerëzit me shpejtësi që nga dhjetori.

Rreth 17.6 milion Britanikë, mbi një e katërta e popullsisë 67 milion, tani kanë marrë dozën e parë. Qeveria synon t'u japë dozën e parë  të gjithë të rriturve deri në fund të Korrikut.

Bota Lajme Boris Johnson britani masa anti-covid

EMISIONET