Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbajtur fjalimin e saj të parë publik në lidhje me fitoren e Joe Biden.

Merkel e përgëzoi Biden “me gjithë zemër”, duke thënë se ai e njeh mirë Gjermaninë dhe Evropën dhe ajo kishte kujtime të bukura nga takimi me të.

Ajo uroi edhe Kamala Harris, gruan e parë në postin e zëvendëpresidentes së  vendit.

“Si grua dhe bijë e dy emigrantëve, ajo është një shembull dhe frymëzim për shumë njerëz”.

Merkel theksoi rëndësinë e marrëdhënies së të dy vendeve dhe tha se pa mbështetjen e SHBA, ribashkimi gjerman 30 vjet më parë nuk do të ishte kurrë i mundur.

Ajo shtoi se të dy vendet duhet të qëndrojnë së bashku për të kapërcyer sfidat kryesore, të tilla si pandemia e koronavirusit, ngrohja globale dhe terrorizmi.

“Mirënjohëse përjetë”

Deklarata e kancelares gjermane fillimisht ishte parashikuar për të dielën pasdite, por  u shty për të hënën, 9.11.2020. Një ditë kjo e ngarkuar me simbolikë për Gjermaninë: Prandaj, edhe Merkel në fillim të prononcimit të saj për media, shfrytëzoi rastin të kujtonte dy ngjarjet më të rëndësishme, edhe për të kujtuar lidhjet historike të vendit  të saj me Shtetet e Bashkuara.

Kjo ditë na kujton më të mirën dhe më të keqen e historisë sonë. Na kujton turpin e 9 nëntorit 1938, pogromet kundër bashkëqytetarëve hebrenj në të gjithë vendin, njerëzit që u dërguan drejt vdekjes, sinagogat që u dogjën, dyqanet që u shkatërruan. Ne përkujtojmë me ndjenjë turpi viktimat e krimeve kundër njerëzimit të bëra nga Gjermania, e Shoa-së,  por ne përkujtojmë edhe brohoritjet, gëzimin e ngazëllyer të njerëzve, kur këtu pranë, te Porta e Brandenburgut dhe përgjatë Murit të Berlinit, kjo ngrehinë e tmerrshme fillimisht u hap, e më pas u rrëzua”-tha kancelarja.