Anëtarja e KPK-së, Brunilda Bekteshi, është zyrtarja e dytë e administratës së vettingut që përballet me drejtësinë pas Luan Dacit, i cili është marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh gjatë aplikimit për tu emëruar në KPA. Shoqata Drejtësi për Drejtësinë kallëzoi penalisht në SPAK, Brunilda Bekteshin, duke kërkuar hetimin e saj për mosdeklarim të një apartamenti dhe parregullësi në deklarimin e një kredie.

Pas ish-anëtarit të KPA, Luan Daci, që po përballet në gjykatë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, një tjetër anëtare e trupës së vettingut kallëzohet për ndjekje penale për parregullsi me pasurinë.

Shoqata ”Drejtësi për drejtësinë” ka denoncuar në SPAK anëtaren e KPK Brunilda Bekteshi, duke iu referuar publikimeve të bëra në media ditët e fundit në lidhje me pasuri të pa deklaruara.

Pala kallëzuese i kërkon kryeprokurorit të SPAK, Arben Kraja të hetojë Brunilda Bekteshin në lidhje me një kontratë shitblerje apartamenti në vitin 2007, në shumën 3,100,000 lekë, me lekë në dorë.

Dy ditë më pas, në 2009 është marrë një kredi në bankë për blerje apartamenti, në shumën 54 mijë euro ndërkohë që në dokumentacion kuptohet se kredia është marrë për blerjen e apartamentit që në të vërtetë është blerë në vitin 2007.

Në lidhje me këtë pronë, në kallëzim thuhet se nuk rezulton të ketë një kontratë për blerje të apartamentit pas marrjes së kredisë në vitin 2009. Po kështu huaja bankare e marrë është shlyer brenda një afati 5 vjeçar, duke krijuar dyshime mbi të ardhurat e siguruara për mbylljen e kredisë.

Në kallëzim theksohet më tej se këto të dhëna nuk janë pasqyruar saktë nga Brunilda Bekteshi në deklarimin e pasurisë gjatë fillimit të detyrës si komisionere në vitin 2017. Bazuar në këto të dhëna, Shoqata për Drejtësinë kërkon që SPAK të hetojë anëtaren e KPK Brunilda Belkeshi për akuzën refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.