Kryeministri ka vendosur të bëhet selektiv me qytetarët, duke rezervuar një numër vaksinash anti-Covid për të vjetrit e listës A; njerëz të njohur dhe me kontribute në art, sport apo politikë. Është një vendim që mund të shihet nëpërmjet dy vëzhgimesh: si diskriminim klasor apo si mjet propagandistik. Rama, ka gjasë ta ketë marrë vendimin nën këtë të fundit, por besoj edhe nën një ngashnjim që i jep çdo lideri fuqia që ka për të bërë mirë apo keq. Në këtë rast mirë.

Sa kohë i themi këto, nuk mund të mos theksojmë se, në vendimin e Ramës gjejmë një nderim të tijin për Senatin e Republikës. Nëse pajtohemi të quajmë senatorë të gjithë ata njerëz me kontribute të pamohueshme në lëmejtë që konstruktojnë shpirtin kombëtar, dhe i përgjigjen këtij shpirti sa herë ai është në orët e liga të vetmisë apo krizave.

Si i djathtë, gjej te ideja e Ramës atë që të djathtët klasikë identifikojnë te hierarkia, një dalje prej iluzionit të rrejshëm e mjeran të barazisë.

Ideja e Senatit përmendet këtu edhe për faktin se shefi i opozitës Basha e ka riqarkulluar si propozim disa herë, dhe mendoj se është një nga qëndrimet më të mira të tij, si në ideologji, ashtu dhe në shtetbërje. Thënë këtë, atyre nën komandën e tij, duhet t’u japë shenjën e uljes së krahëve të mullinjve të luftës sa herë Edi Rama bën erë, apo ‘re në pantallona’, siç parodizon ai një poemë të Majakovskit.

Sikur për asgjë tjetër veç faktit se i vendos në përplasje me njerëz të njohur, autoritete publike dhe, rrjedhimisht edhe me dashamirësit e tyre në publik. Pra është politikisht e pafrytshme. Nuk mund të kapësh shatin e populizimit për të mbledhur njerëz, kur vetë ata, nën trysninë e lëbyrjes së personazheve në fjalë nuk do të bëzanin nëse shihnin Roza e Dhimitër Anagnostin, Reshat Arbanën, Robert Ndrenikën, Tinka Kurtin e të tjerë, ‘të hynin pa radhë’ për t’u vaksinuar.

Jetojnë në një vend ku të gjithë hyjnë pa radhë. Demonstrativisht. Në çdo orë të ditës. Gjithkund. Që nga vargu në trafik, të ushqimorja e lagjes, e deri te lista pritëse për një operacion në zemër apo Kuvendin e Shqipërisë.

Kështu, nëse shfaqet Tinka Kurti, e butë si një luleborë oborresh Shkodre, nuk ma merr mendja se ‘populli’ do ngrihej në një revolucion të ri kundër Ramës.

Ata që e bëjnë, se mund të ketë maskarenj Facebook-u që thonë se ‘u hapet barku’ për të pamundurin e lagjes para një radhe me senatorë, u duhet kujtuar atëherë hipokrizia po në shtëpitë e tyre të shpirtit, rrjetet sociale. RIP-et dhe ‘u prefsh në paqe (u prehsh në fakt, por vdekjes duhet t’i kthesh faqen tjetër), që vijë varg e vistër kur vdes Rikardi apo Xhevdeti, qenkan asgjë më shumë se ushtrime hipokrizie.

Se po të ishte gjallë Rikardi dhe të kërkonte të hynte pa radhë, ti vajtojcë seriale Facbooku-u, do i nxirrje sytë.

Për ata që i kundërvihen Ramës në emrin xhelatinoz të opozicionit, kam një vërejtje: kërkohet pak durim dhe logjikë për të kuptuar se, shpesh, nëse nuk shënjestrohet mbi një parim të qëndrueshëm, kritika bën efektin e kundërt.

Rama, pavarësisht armiqësisë dhe padurimit për të, nuk duhet kundërshtuar publikisht për çdo gjë. Sidomos në rastet kur mund të nisesh për të dekonstruktuar propagandën e tij dhe të bësh të kundërtën: ta ndihmosh të arrijë qëllimet propagandistike me gojën dhe duart e tua.

Jo pak gjëra në jetë zgjidhen me anë të heshtjes.