Për kreun e Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, amnistia fiskale është një lëvizje e dëshpëruar nga ana e qeverisë.

Sipas tij, kjo është një kartë e cila përdoret në momentin kur ekonomia nuk është në gjendje të prodhojë.

Gjergj Buxhuku: ”Kur e shikon në sfondin e atyre problematikave të thella, serioze që ka sistemi ynë ekonomik, politik, insitucional, të ndërmarrësh nisma të tilla si amnisti fiskale, tingëllon si lëvizje e dëshpëruar. Në momentin kur ekonomia nuk është në gjendje të prodhojë, pra, të japë burimet e domosdoshme të kapitalit njerëzor e financiar për të mbështetur zhvillimin, hidhen karta të tilla me shpresë se mos vjen ndonjë fluks oksigjenues për ekonominë në këto ditë të vështirë.”

Në një lidhje përmes Skype për Ora News, Buxhuku tha se në parim nuk është kundër aministisë fiskale, por kundër mënyrës se si po përgatitet procesi.

Buxhuku u shpreh se nuk mund të ndërmerret një nismë e tillë pa marrë miratimin e partnerëve ndërkombëtarë, pasi shumica e parave të zeza janë siguruar në vendet e BE, dhe atyre euroatlantike.

Gjergj Buxhuku: ”Në parim nuk jam kundër që këto para, të cilat janë të shqiptarëve të vijnë në Shqipëri. Problemi është mënyra se si serviret dhe si përgatitet i gjithë procesi. Në rastin më normal, do të jetë një proces që nuk mund të jetë i suksseshëm, sepse nuk mund të ndërmerret amnistia fiskale pa marrë miratimin e vendeve partnerëve, qoftë Bashkimi Europian, qoftë vendeve e strukturave euroatlantike, ku bën pjesë dhe ke detyrimet e tua.

Amnistia fiskale, është falja fiskale me ligj e parave të cilat janë jo formale, jo të ligjshme. Këto para janë siguruar në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, qoftë vende të tjera që i përkasin strukturave atlantike, të cilat janë edhe objekt edhe subjket i kësaj vale të qarkullimit të parave të zeza, ku futen shumë elementë brenda.

Futet krimi, korrupsioni, grupet terrorise, pra ata preken në shumë drejtime. Nuk mund të ndërmarrësh këtë nismë si i pavarur. Jemi vend me sovranitet të kufizuar, dhe ne duhet t’i kërkojmë këtyre vendeve që janë objekt dhe subjeket, për të marrë miratimin e tyre.”

Intervistoi në studio Sebastian Zonja, përgatiti për online Renato Çaushi.