Në një dalje për mediat pas bojkotimit që Opozita e Bashkuar i bëri tryezës së Këshillit Politik, përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari e cilësoi të fëlliqur amendamentin më të fundit të Partisë Socialiste lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sipas deputetes, PS duhet të reflektojë pasi këto sjellje thjesht mbajnë të mbyllura listat.

“PS kërkon të mos hapë listat.  Po kërkojnë të kenë vetë një kandidat preferencial në listë. PS po bën një hap mbrapa. Nuk është kjo lista e hapur, ajo që duan shqiptarët. Kjo është lista e kryetarëve. Është një truk për të mbajtur listat e mbyllura

I kërkoj PS të reflektojë mbi këtë propozim që në fakt mban listat e mbyllura. Do të luftoj deri në fund që listat të jenë të hapura dhe boll më me kryetarë që vendosin në lista kandidatë që u vijnë vërdallë si dele. Kjo nuk ndryshon asgjë ndaj PS të reflektojë mbi këtë propozim të fëlliqur”, tha Hajdari.

Sipas PS, kuota 30% për gratë nuk duhet të preket, ndërsa shton se, listat duhet të jenë 100% të hapura dhe qytetari voton kandidatin preferencial.

Sipas Partisë Socialiste, këto amendamente përbëjnë platformën më të mirë të mundshme, të konsensusit sa më të gjërë mes mazhorancës qeverisëse, opozitës parlamentare dhe opozitës jashtëparlamentare, për shkak se plotësojnë çdo kërkesë të artikuluar prej tyre.

Në amendamentin e selisë rozë theksohet se, “është detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor qëtë zbatojnë përcaktimet kushtetuese në fuqi për çështjet e zgjedhjeve. Amendamentet e propozuara paraqiten dhe kanë pikërisht këtë qëllim”.