Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman,  ka zhvilluar ditën e sotme (9 korrik) në një takim në Gjykatën e Lartë, ku është takuar me disa nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Vitore Tusha, në emër të të gjithë anëtarëve të Këshillit, ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për asistencën e deritanishme të dhënë nga Britania e Madhe në mjaft sektorë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.

Po ashtu, Tusha e njohu ambasadorin Norman me problematikat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre viteve të krijimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe theksoi angazhimin maksimal të anëtarëve të tij, si gjatë vitit 2019, kur ky këshill vendosi themelet e një procesi shumë të rëndësishëm kushtetues, atë të përzgjedhjes së anëtarëve të parë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë takimit Ambasadori Norman u shpreh se reforma në drejtësi është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, proces i cili duhet të çohet deri në fund.

Ky këshill vlerëson se procesi për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit ligjor, dhe për këtë arsye, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, KED 2020 ka marrë të gjitha masat për përfshirjen e tyre në aktet rregullatore të KED.

Ambasadori britanik nga ana e tij, theksoi se KED për nga natyra e vet ka pasur gjithmonë vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke shprehur me këtë rast mbështetjen e tij publike dhe personale në ndihmë të këtij këshilli.

Ambasadori Norman vlerësoi angazhimin i këshillit për të reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, në mënyrë që procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të ndodhë sa më parë.