Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënjestruar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS në Tiranë për zgjedhjet e 25 prillit, si një person që nuk i mban premtimet e bëra.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, ambasada ka shpërndarë kronikën e një investigimi në RTSH, ku flitet për projektin ‘Parku i Besimit’ të premtuar gjashtë vite më parë nga Veliaj.

“Shihni temat investiguese që do të transmetohen sonte në darkë në 31 Minuta, një emision i prodhuar nga RTSH Radio Televizioni Shqiptar dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, me mbështetjen e Ambasadës së SHBA. Ndiqeni sonte, ora 20:35, në RTSH ose në faqen 31 Minuta,”- shkruan në postim ambasada.

Ish-kryeministri Sali Berisha duke komentuar këtë postim që ka habitur jo pak dhe që vjen vetëm dy javë para zgjedhjeve, thotë se Veliaj nuk po ndërton kulla vetëm në parqe por edhe mes pallateve.

Megjithatë Berisha thotë për Rtv Ora, se që një kullë të marrë dritën jeshile për ndërtim duhet të marrë firmat e Veliaj dhe Ramës.

Berisha: Lal Plehu është e vërtetë që po ngul kulla aty ku kanë qenë parqe, por tani dhe mes pallateve. Sigurisht që ai është autor kryesor por e vërteta ligjore është kjo. Asnjë leje kulle nuk mund të japë ai pa firmën e Edi Ramës. Me një vendim të posaçëm të drejtën ekskluzive të lejimit të kullave Erion Veliaj ja ka marrë Edi Rama. Kullat ndërtohen vetëm me firmat e të dyve pasi shkojnë valixhet e parave të drogës te secili prej tyre.

Parku i Besimit u premtua në vitin 2015 nga kryebashkiaku Veliaj dhe përfshinte krijimin e një parku të ri me në qendër Piramidën. Sipas Veliajt, ky projekt do të transformonte hapësirat lineare të hapura, si dhe xhepa të tjerë të gjelbër përgjatë bulevardit, në pasqyrime peisazhistike.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana