Shumica e qytetarëve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, tamponin e mendojnë si vërtetuesin kryesor nëse jemi të prekur me COVID-19 apo jo. Por sipas Mjekut Ilir Alimehmeti, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Sipas tij, është mjeku ai që e përcakton fillimisht diagnozën, në bazë të simptomave të pacientit.


Alimehmeti: Tamponi ka pasur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të madhe. Sepse na ndihmon të izolojmë sa më shumë raste dhe na ndihmon që ata të mos infektojnë të tjerë. Sidomos ka një rëndësi tejet të madhe për rastet që mund të jenë asimptomatikë.

Përsa i përket arsyes mjekësore të trajtimit, tamponi është më marzhinal. Mjeku në fakt trajton pacientin, nuk trajton rezultatet e një testi, çfarëdolloj qoftë. Pra për mjekun i rëndësishëm është pacienti. Nëse pacienti ka shenja respiratore të ndryshme, ai tajton ato shenja. Pavarësisht nëse tamponi del apo nuk del pozitiv. Sepse as tamponi nuk është 100% siç nuk është asnjë lloj testi deri më sot.

Ajo që është vënë re, është fakti se autoritetet shëndetësore i mëshojnë numrit të lartë të testimeve. Por një gjë e tillë, sipas Alimehmetit, nodh me qëllim parandalimin e para të përhapjes së infeksionit, e dyta mbrojtjen nga kolapsi të sistemit shëndetësor.

Alimehmeti: Institucionet shëndetësore nga ana tjetër, nuk i mëshojnë numrit të lartë të testeve, por numrit të lartë të pozitivitetit. Nuk duhet sipas ekspertëve që pozitiviteti t’i kalojë 10 %. Ne aktualisht jemi 22 % pozitivë në raport me numrin e testeve të bëra. Strategjia është e njëjtë, sa më shumë testime të bëjmë, aq më shumë raste do të zbulojmë. Rritja e numrit të testimeve ka edhe një efekt tjetër, mbron sistemin shëndetësor nga kolapsimi.

Përgjatë intervistës me gazetaren Matilda Mcini, mjeku Ilir Alimehmeti foli edhe për mungesën e vaksinës së gripit. Kjo pasi tani jemi në një periudhë ku kemi edhe shumë viroza të tjera përqark, dhe mund të ndodhë të ngatërrohen.
Alimehmeti: Ne ende nuk i kemi, kam inforamcion që do të vijnë së shpejti. Pse ndodh kjo, sepse vaksina çdo vit është ndryshe. Nuk është e njëjta vaksinë çdo 10 vjet. Ndërron.

Në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti E.T