Alibeaj: Sot do shkojmë në mbledhjen e Këshillit Politik por duam seriozitet, Rama ka ardhur me produkt të gatshëm

Alibeaj: Sot do shkojmë në mbledhjen e Këshillit Politik por duam

Pasditen e sotme do të mblidhet sërish Këshilli Politik për të diksutuar për ndryshimet kushtetuese, që mund të kalojnë në parlament javën e ardhshme (30 korrik).

I ftuar në hapësirën e intervistës në ''RTV Ora'', ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibej, tha se opozita jashtëparlamentare do të marrë pjesë në mbledhje.

Por Alibeaj, u shpreh se mazhoranca kërkon të diskutojë për ndryshimet kushtetuese, që sipas saj është diçka e përfunduar sepse ka kaluar edhe në Këshillin e Legjislacionit.

Enkelejd Alibeaj: ''Kjo është një mbledhje ku ne do të shkojmë si opozita jashtëparlamentare por opozita reale në fakt. Ajo që mbetet për tu diskutuar është se çfarë do të diskutojmë. Kjo është thelbi i gjithë diskutimit. Deri tani dimë këtë gjë, kërkesa e mazhorancës është që të diskutojmë për një çështje të cilën ata e kanë diskutuar, e kanë shqyrtuar sipas mendimit të tyre, e kanë shkruar, e kanë draftuar, e kanë kaluar në Këshillin e Legjislacionit dhe nuk e lëvizin më.''

''Ashtu siç e tha kryeministri dje, ajo që është shkruar nuk ndryshohet, dhe këtu pyetja është çfarë do diskutojmë. Më tepër sesa kjo më e rëndësishme është që, për të treguar konstruktivitet, që jemi të gatshëm për të respektuar të gjitha dimensionet dhe traditën e krijuar në Këshillin Politik. Kemi nënshkruar një marrëveshje më 14 janar e cila dha produktin e vet në 5 qershor, dhe jemi të gatshëm që duke respektuar të gjitha ato dimensione dhe rregulla të Këshillit Politik, do të jemi aty.''

Sipas Alibeajt, në mbledhjen e Këshillit Politik, nuk mund të diskutohet për diçka e cila ka përfunduar, por duhet të diskutohet sistemi zgjedhor si një i tërë, për të kuptuar pse nuk funksionon.

Ish-deputeti tha se jo domosdoshmërisht sistemi më i mirë mund të ishte ai i listave të hapura, që sipas tij, nuk janë plotësisht të tilla, por gjysmë të mbyllura.

Enkelejd Alibeaj: ''Nuk mund të diskutohet për diçka e cila ka përfunduar sipas palës tjetër. Nëse do duhet të diskutojmë diçka, diskutimi duhet të jetë i sinqertë dhe të diskutojmë për diçka që është e nevojshme. Çfarë është e nevojshme? A janë listat e hapura? Që është vetëm një nga elementët e sistemit zgjedhor. Të diskutojmë atëherë sistemin zgjedhor si një i tërë, për të kuptuar se pse ky sistem zgjedhor nuk bën dhe cili do të ishte më i mirë, jo domosdoshmërisht mund të ishte sistemi i listave të hapura, aq më pak ai sistem që shitet për lista të hapura, siç e ka shkruar mazhoranca në amendamentet kushtetutese, e cila në fakt nuk është me listë të hapura. Është listë e mbyllur ose të paktën gjysma e mbyllur, sepse të paktën 33% e pjesës së sipërme të listës.''

Alibeaj tha se opozita është e gatshme të diskutojë në Këshillin Politik në kushte serioziteti, pasi në mbledhjet e fundit nuk ka pasur diçka të tillë, teksa kryeministri Rama ka ardhur me produkt të gatshëm.

Enkelejd Alibeaj: ''Ajo që jemi të gatshëm të diskutojmë është të vendosemi në kushte serioziteti. Me atë se çfarë ka kërkuar Rama në 2-3 mbledhjet e fundit, serioziteti nuk është, sepse vjen me një produkt të gatshëm. Serioziteti ishte po ai i marrëveshjes që datoi dhe përfundoi më 5 qershor, ku palët për një kohë të gjatë, diskutuan shumë variante për ato çështje të cilat ishin të rekomanduara nga OSBE/ODIHR-it, dhe dolën në fund me një produkt e cila ishte marrëveshja e 5 qershorit. Të diskutosh diçka e cila ka përfunduar, nuk do mend e kalem për të kuptuar që është një fasadë që duhet ta përdorë kryeministri.''

Intervistoi në studio Besmira Pelushaj, përgatiti për online Renato Çaushi.

Vendi Lajme keshilli politik Politikë ndryshimet kushtetuese enkelejd alibeaj

EMISIONET