Nuk ka lista të hapura, nuk ka koalicione por garohet me listë unike në zgjedhjet e 25 prillit. Pragu ulet në 1% dhe kryetari garon në katër qarqe.

Sot Kuvendi miratoi me 97 vota pro ndryshimet në kodin zgjedhor pa dakordësinë e opozitës dhe duke shkelur marrëveshjen e 5 qershorit.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, thotë se Rama u tall me shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

Alibeaj: Ishte tallje e Ramës me shqiptarët, me ndërkombëtarët, me fatet e Shqipërisë. Ajo që e orioenton sot Ramën nuk është arsyeja dhe logjika,  por makthi dhe frika për humbjen elektorale të 25 prillit dhe mbi të gjitha ndëshkimi ligjor pas 26 prillit.

Duke komentuar “qëndrimin e butë” të Ambasadës amerikane, Alibeaj  deklaroi në një intervistë për Rtv Ora se nëse “budallai të mbin në derë” nuk ke çfarë i bën.

Alibeaj: Emëruesi i përbashkët në të gjitha deklaratat, përfaqësues këtu apo atje, amerikanë apo europianë, gjermanë apo britanikë është kjo: Prishja e konsensusit të Këshillit Politik. Më tepër se kaq unë nuk besoj se ata mund të thonë dhe për këtë arsye nuk kemi pse të jemi të zhgënjyer. Tek e fundit, çfarë ndodh kur të mbin budallai në shtëpi? Ky është halli i madhi gjithë shqiptarëve.

Votimit të njëanshëm të ndryshimeve në kod, Alibeaj thotë se opozita do t’u përgjigjet me mënyra dhe mjete proporcionale.

Alibeaj në studion e RTV Ora

Alibeaj: Hapi i parë është momenti për të bërë të ditur qartë dhe saktë se cili është njeriu përballë, mbi të gjithë për ndërkombëtarët. Do ti përgjigjemi me mënyra dhe mjete proporcionale këtij regjimi me qëllim që asnjë votë, asnjë vullnet i çdo shqiptari që kërkon të rrëzojë këtë regjim të mos vidhet e manipulohet.

E ndërsa janë shfaqur tentativat e para për manipulim të zgjedhjeve, Alibeaj nuk ka shpresë për hetimin nga SPAK të padisë së PD-së ndaj Minsitrit Lleshaj lidhur me zhvendosjen e vendbanimeve të qytetarëve në padijeni të tyre.

E megjithatë, ai thotë se Rama mund të ngushtojë humbjen me taktika të vogla, por asgjë nuk e shpëton prej saj.

Alibeaj: Nuk e kam besimi për të qenë i sinqertë por na takon të eksplorojmë të gjithë rrugët institucionale. Në mos sot, nesër ato letra do të hapen dhe secili do të mbajë përgjegjësi nga Lleshaj te drejtori i gjendjes civile dhe gjithë të tjerët. Jo vetëm kaq, e keni vënë re dhe çështjen e formularëve, ka shpërndarë të gjithë falangat e administratës për të mbledhur numrat e kartave të identitetit. Humbja është e sigurt e Ramës, mund të ngushtojë paksa me llogari dhe taktika të vogla që mund të burojnë nga heqja e koalicioneve apo listat e hapura që nuk janë të hapura, por humbja është gjithmonë humbje.Uragani i shqiptarëve do të jetë i tillë që nuk ka për tu manipuluar kurrësesi.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana