Akuzat e përsëritura ndaj tij nga kryeministri Rama  për rolin në UNMIK dhe kasetën e maskrës së Krushës së Madhe  si dhe nisma e mazhorancës për një komision hetimor, bënë që kryetari i Partisë Demokratike të dilte në një emision televiziv për të dhënë shpjegime lidhur me to.

Por analisti, Ilir Demalia, thotë se ajo shfaqje ishte e tepërt, duke shtuar se dalja e tij në “Opinion” i kujtoi  gjyqet e komunizmit.

Sipas tij, kryedemokrati nuk duhet të binte në lojërat politike të Ramës dhe aq më pak të kompleksohet pse ka shërbyer për UNMIK.

Demalia: Skandalet mbulojnë skandalet. Rama krijon kaos për të zhdukur një problem dhe krijuar një problem të ri si ajo për Bashën që nuk kishte asnjë interes. Nuk kuptoj pse Basha doli sikur dilte para një gjyqi, më kujtoi gjyqet e ’46 me ata gazetarë atje. U jepte shpjegim atyre. Nuk kishte pse binte Basha në lojën e tyre, ka punuar për UNMIK dhe jo për Beogradin. Pse Basha duhej të kompleksohej për këtë? Rama këto provokime i bën me qëllim, nuk e di pse Basha bie viktimë e këtyre provokimeve. Prandaj u zhduk edhe problemi i inceneratorëve. Duhet të ketë strategji. Duke u marrë me arbitrin ata bëjnë golin tjetër, e fitojnë ndeshjen. Duhet një strategji si do ta shkatërrojnë Ramën dhe kultin e Rilindjes në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk kanë kohë. Ka një gjë që nuk funksionon në PD, Basha duhet të vendosë veton e tij.

Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti për online Besjana Kuçana