Partia Demokratike publikoi disa fakte të reja sipas të cilave ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka përdorur helikopterët ushtarakë për fushatë elektorale.

Sipas ish-deputetes Albana Vokshi, datat që helikopteri ka fluturuar për në Dibër, përkojnë me mbledhjet elektorale të Partisë Socialiste.

“Provojnë se Olta Xhaçka udhëtoi në Dibër me helikopter për punët e partisë. Për shembull, data 3 tetor, Olta Xhaçka ka shkuar në Dibër me helikopter. Nuk ka pasur atë ditë stërvitje ushtarake, nuk ka pasur asgjë që lidhet me funksionin e saj si ministre e Mbrojtjes.”

PD thotë se vajtje-ardhjet në Dibër të Xhaçkës në Dibër për dy muaj kanë kushtuar mbi 100 milionë lekë.

“Abuzimi me detyrën i ministres së Mbrojtjes është flagrant, pasi merr helikopterin për të shkuar në një koncert, ndërsa njerëzit nuk kanë para që të mbyllin muajin. Blejnë ilaçe me lekë borxh, heqin fëmijët nga shkollat sepse nuk i përballojnë dot shpenzimet për arsimim.”

Por akuzat Forcat Ajrore Shqiptare i quan përbaltje dhe të papranueshme. Ajo bën me dije që gjatë muajve të fundit janë kryer 138 fluturime, ndërsa ministrja Xhaçka ka qenë vetëm 4 herë në Shkodër, Dibër e Gjirokastër.