Tre persona humbën jetën dhe një fëmijë rreth 10 vjeç është në gjendje të rëndë si pasojë e një aksidenti të trefishtë në By Passin e Rrogozhinës që mori përmasat e një tragjedie në rrugë.

Viktima mbetën Tonin Mëhilli 54 vjeç, oficer policie ne burgun e Peqinit, i cili ndërroi jetë në vend dhe bashkëshortët Barjam dhe  Merushe Koni që nuk arritën tu mbijetojnë plagëve.

Fëmija që udhëtonte me këta të fundit në makinë mbeti i plagosur rëndë.

Ngjarja u shënua në orët e para të mëngjesit dhe nga të dhënat e para dyshohet se shkak për aksidentin mund të jetë bërë shpejtësia, dhe lagështia në rrugë, por nuk përjashtohet as përgjumja 54 vjeçarit në timon.

Sipas ekspertëve makina me  targa AA160YT me drejtues mjeti shtetasin Tonin Mhilli po udhëtonte drejt Peqinit, kur ka humbur kontrollin dhe ka dalë në krahun e kundërt ku u përplas me makinën me targë AA273NH,  ku udhëtonin tre anëtarë të familjes Koni.

Në aksident është përfshirë edhe një makinë e tretë, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Gjashtë persona kanë humbur jetën në 48 orë si pasojë e aksidenteve.