Aksidentet rrugore/ Eksperti: Kjo qeveri bën rrugë 'seksi', por jo të sigurta

Aksidentet rrugore janë kthyer në një problem serioz për vendin. Numri i lartë i tyre, shoqëruar edhe me viktima në shumë raste, janë një fenomen që shqetëson ekspertët e sigurisë rrugore.

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, Tonin Gjinaj, i ftuar në "Ditë e re", në RTV ORA, evidentoi disa prej faktorëve që ndikojnë në nivelin e lartë të aksidenteve rrugore.

Tonin Gjinaj: Duhet të jemi sa më konkretë se jemi në një situatë tragjike. Janë të përshirë shumë elementë, siç thanë dhe kolegët, të cilët janë ekspertë të sigurisë rrugore. Dhe jemi në një situatë pandemie. Edhe pandemia ndikon te drejtuesit e mjeteve. Humbin vëmendjen, humbin shikimin, humbin dëgjimin. Imagjinoni qytetarët që janë në ujë. Dalin me varka dhe më pas do të drejtojë një automjet. Do të thotë se është në një gjendje të rëndë psikologjike.

Por ne këtu jemi në një shtet ku politikanët janë shumë të pasur dhe shteti shumë i varfër. Në hapjen e kantiereve rrugore është një tmerr. Shikohet se si ato menaxhohen nga kompanitë ndërtuese duke vendosur tabela kuturu, duke mos marrë masa mbrojtëse për qytetarët, për këmbësorët, për biçikletistët, qoftë edhe për drejtuesit e automjeteve. Dhe duke parë këta faktorë që janë tani, me një shi të jashtëzakonshëm, të cilën rrugët tona nuk janë në gjendje ta përballojnë. Duke parë edhe ndërtimin e rrugëve, që sipas mendimit dhe këndvështrimit tonë, pa një audititim të mirëfilltë tyre, kemi rrugë ku asfalti le shumë për të dëshiruar. Për të mos thënë që ka rrugë që hapen dhe pas një viti ribëhet prapë.

Arjon Muça: Bëjmë rrugë estetike, por jo funksionale...

Artur Sulçe: Në parim, kjo qeveri ka rregullin  ta bëjë rrugën seksi por të pasigurtë.

Vetëm gjatë muajit janar, si pasojë e aksidenteve, kanë humbur jetën 23 persona. Ndërsa një vit më parë, në të njëjtën periudhë regjistroheshin 16.

Në rritje përgjatë janarit ka qenë dhe numri i personave të plagosur, ku sipas statistikave bëhet fjalë për 158 persona, nga 106 që ishin përgjatë 2020.

Sipas ekspertëve përgjatë muajit kemi patur një rritje të aksidenteve ku të përfshirë kanë qenë këmbësorët, që janë aksidentuar në vija të bardha apo trotuar.

Shpejtësia dhe përdorimi i alkoolit është një prej shkaqeve kryesore të aksidenteve, sipas ekspertëve.

SITUATA ME AKSIDENTET

Janar 2020                    Janar 2021

93 aksidente                128 aksidente    

Te vdekur 16                23 të vdekur

106 të plagosur            158 të plagosur

/A.R,OraNews

EMISIONET