Një 32-vjeçar ka gjetur vdekjen në një aksident rrugor në aksin Korçë-Pogradec.

Ngjarja është shënuar pak pas mesnate në afërsi të fshatit Vërdovë.

Viktima identifikohet si Delor Latifllari, 32 vjeç, baba i dy fëmijëve.

Ai mësohet se po kthehej në shtëpi pas pune kur makina me të cilën udhëtonte u përplas me një tjetër mjet që drejtohej nga Enea Yzellari, 27 vjeç, banues në fshatin Gështenjas.

Goditja mes mjeteve ka qenë e fortë e për pasojë Latifllari, ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Pogradecit.

Shoferi tjetër përfundoi në prangat e policisë, pasi dyshohet se është shkaktari i aksidentit!

32 vjeçari është viktima e dytë për muajin mars në rrugët e vendit që kanë lënë pas në tre ditët e para disa persona të plagosur.

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën  në rrugët e vendit përgjatë muajit shkurt, ndërsa janari u mbyll me 22 viktima dhe 143 të lënduar.

Në 80 % të rasteve fajtorët janë drejtuesit e mjeteve.