Një aksident automobilistik me katër të plagosur ndodhi mbrëmjen e sotme rrugën e Barmashit, në Kolonjë.

Një automjet ka rënë nga ura duke i lënë të plagosur 4 personat që ndodheshin brenda tij.

Siç raporton gazetarja e Ora News, Iris Rezhda, 3 nga 4 të aksidentuarit janë nisur drejt spitalit rajonal të Korçës pasi janë në gjendje më të rënduar shëndetësore.

Burime nga ky spital shprehen për Ora News se, të plagosurit kanë dëmtime në kokë kryesisht, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë për ngjarjen:

Më datë 25.09.2020, rreth orës 21:00, në afërsi të fshatit Barmash, shtetasi D. L., rreth 48 vjeç, banues në Pogradec, duke drejtuar mjetin tip “Subaru”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerë në mjet, konkretisht shtetasit G. B; P. H., dhe F. K., banues në Pogradec, të cilët u dërguan në Spital ku aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.