Agjencia italiane e lajmeve Nova i ka dhënë jehonë sulmit politik ndaj Rtv Ora dhe Ora News.

Në një artikull për këtë çështje, Nova shkruan se transmetuesit televizivë privatë “Ora News” dhe “Rtv Ora” drejtohen përkohësisht nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara të Shqipërisë, pas urdhrit të SPAK për sekuestrimin e pasurive të Presidentit të Yldon Media Group.

Më tej në shkrim thuhet se juristët e sipërmarrësit, e kanë cilësuar  një “vendim politik”, i cili merret disa javë pas denoncimit të një “sulmi politik” kundër dy transmetuesve përmes një urdhri për mbyllje dhe një gjobe të vendosur nga autoritetet shëndetësore shqiptare për mosrespektimin e masave për distancimin social gjatë programeve.

Dy transmetuesit konsiderohen kritikë për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Zoti Ndroqi ka edhe dy gjykime të hapura kundër kryebashkiakut të Tiranës, socialistit Erion Veliaj.

Menjëherë pas vendimit të 3 gushtit në lidhje me sekuestrimin e pasurive të pronarit mediatik, Forcat Speciale Shqiptare bastisën selinë e “Ora News”.

Disa oficerë policie  qëndruan për orë të tëra në televizion.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, tha në një prononcim se opozita mbështet të gjitha hetimet por “akuzat e motivuara politikisht ndaj Ndroqit janë shqetësuese dhe kërkojnë vlerësime shumë serioze”.

“Dërgimi i forcave policore për të rrethuar Rtv Ora dhe Ora News paraqet një presion psikologjik ndaj gazetarëve dhe punonjësve,” tha Vokshi.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë duke komentuar çështjen, foli për “një sulm ndaj lirisë së fjalës” dhe kërkoi nga SPAK një rivlerësim të vendimit për sekuestrimin e “Rtv Ora” dhe “Ora News”.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, shumë kritik ndaj ekzekutivit Rama, foli dje për “fakte tronditëse të censurës” dhe denoncoi “presionin në rritje ndaj mediave të pavarura dhe kritike kundër” qeverisë socialiste, duke folur për një “situatë alarmante” “e cila kërkon” përgjigje të menjëhershme “.