Rasti i sotëm i përdhunimit të të miturës në Pogradec ka tronditur opinionin publik. Ajo është një ndër rastet e shumta në Shqipëri të abuzimit seksual me fëmijë.

Abuzimin në Pogradec e bën më të rëndë fakti se banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja, Vërdovë, ishin në dijeni të saj.

Për këtë psikologia Entela Binjaku e ka cilësuar të pafalshme indiferencën e qytetarëve që i lënë mënjëanë raste të tilla pa i raportuar tek autoritetet.

Binjaku: Është e pafalshme për indiferencën tonë shoqërore që lë mënjëanë dhe i lë të zbuluar kategoritë shoqërore siç ishte kjo vogëlushe. Ishin brenda një vendi të vogël dhe çdo gjë domosdoshmërisht merret vesh.

Në një intervistë për Ora News ajo shprehet se kjo ngjarje ka vetëm një anë pozitive dhe ajo është publikimi i saj në media.

Binjaku thotë se kjo duhet të shërbejë si indicie që autoritetet të zbulojnë dhe raste të tjera e tu vijnë në ndihmë viktimave.

Binjaku: Ngjarja është e vërtetë e rëndë. E vetmja anë pozitive e saj është që kjo ngjarje u bë publike dhe mediatike. Do të shërbejë si indicie për zbulimin e rasteve të tjera të dhunës. Kjo histori e fundit tregoi që më të dobëtit janë përherë më të ekspozuarit. Shoqëria jonë ka halle nga më të panumërta për çështje që lidhen pas varfërisë, papunësisë përfshirë dhe fatkeqësitë natyrore që nuk na kursyen. Jo vetëm të miturit janë shënjestër e keqbërësve por edhe persona të moshave të tjera ka qenë në qendër të sulmeve kriminale. Na vë përballë një indiference të shoqërisë.

Një rol të rëndësishëm për parandalimin e këtyre rasteve e luajnë dhe instancat shtetërore. Psikologia shprehet se ka punonjës të pushtetit vendor por për arsye të ndryshme kanë një stepje për t’i ofruar ndihmë atyre.

Binjaku: Mendoj që çdo herë që ndodh një histori që në qendër ka dhunë fizike, emocionale, seksuale ne marrim një mësim që të kuptojmë se ne nuk veprojmë ashtu siç duhet ndaj atyre hallkave që kanë përgjegjësi të ndjekin kategori të ndryshme shoqërore. Shumë institucione të vendit tonë kryesisht të pushtetit vendor e kanë në hallkën e tyre një punonjës që ka në përgjegjësi gratë ose të miturit dhe ne shohim që këto hallka janë thuajse tërësisht në hije ose kanë stepje për të ofruar shërbimin e tyre për shkak se nevojiten 1000 hallka të tjera. Së dyti ne kuptojmë që ky shtet i ka të shkëputura instancat nga jeta e qytetarëve. Shumë shërbime që qytetarët në zona të ndryshme të vendit i marrin shumë të pakta ose mësohet për ta vetëm kur ndodh diçka e madhe.

Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti online Endi Mullaj